75 Mall Live Search
13:05 / E Mërkurë, 26 Gusht 2020 / indeksADMonline

Aktakuzë personit, që vrau shokun e ngushtë për një borxh prej 20 eurosh

Pas 7 muajsh Prokuroria Themelore e Prizrenit, ka ngritur aktakuzë kundër personit që vrau shokun e ngushtë për një borxh prej 20 eurosh.

“Prokuroria Themelore e Prizrenit, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.A., për shkak se ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer  veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’ nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.5 të KPRK-së dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.  

Sipas aktakuzës i pandehuri S.A. e ka privuar nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje ka vënë në rrezik jetën e një apo më shumë personave të tjerë, në atë mënyrë që më 26.01.2020, në fshatin Maqitevë, Komuna e Suharekës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh prej 20 eurosh që ia kishte tani i ndjeri SH.K., vëllait të tij, fillimisht fillojnë të fjalosen, më pas shkon te kamioneta e tij e merr pushkën gjysmautomatike dhe në një distancë të shkurtër e shkrep në drejtim të tani të ndjerit SH.K., dhe e godet fillimisht në fytyrë i cili rrëzohet në tokë, e pastaj deri sa ishte i rrëzuar e godet edhe disa herë, me ç’rast i shkakton tetë (8) plagë në pjesë të ndryshme të trupit.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri S.A. ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’ nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.5 të KPRK-së. 

Po ashtu, i pandehuri S.A. në kundërshtim me ligjin ka poseduar armën gjysmautomatike të tipit “AK-47”, me numër serik 41216. Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.