17:24 / E Premte, 09 Nëntor 2018 / indeksADMonline

I pari i MTI-së kërkon bashkëpunim për zbatimin e ligjit

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, është takuar me drejtorët e Drejtorive të Inspeksioneve Komunale, për bashkërendimin e punëve dhe harmonizimin e veprimeve.

Shala para tyre ka paraqitur punën e bërë prej se ka marrë mandatin, përderisa, duke treguar për prioritetet dhe ka kërkuar bashkëpunim për zbatimin e ligjeve.

“Arsyeja e këtij takimi është të bashkëbisedojmë për të gjetur mënyrën më të mirë për bashkëpunimin me inspektoratin e MTI-së dhe inspektoratit të veterinarisë. Prioritet e kam vendos mbrojtjen e konsumatorit dhe përmes kësaj cilësinë e produkteve. Për mua shumë të rëndësishme janë zbatimi ligjeve, krijimi infrastrukturës së nevojshme për produkte cilësore, mbrojtjen e promovimin e produkteve vendore dhe mbrojtjen e konsumatorit. Deri tani kur kanë kaluar vetëm një muaj që jam emëruar ministër, kemi marr disa vendime që janë shumë të rëndësishme për ekonominë e vendit tonë dhe për të ardhmen e gjeneratave. Por ne si Qeveri dhe Ministri mund të nxjerrim ligje dhe  vendime shumë të mira, por që këto të jetësohen, nevojitet angazhim më i madhe dhe i përbashkët i të gjithë neve”, ka theksuar ministri Shala.

Ministri ka kërkuar nga drejtorët e inspeksiove komunale që ta kenë prioritet zbatimin e urdhëresës që ndalon shitjen e duhanit dhe pijeve alkoolike për të miturit, po ashtu të identifikohen dhe asgjësohet lodrat që kanë rezultuar se janë jashtë standardeve dhe të jenë të gatshëm kur të hyn ligji në fuqi që obligon bizneset të vendosin flamujt e shteteve nëpër rafte që tregon prejardhjen e mallit.

“Vlerësoj që inspektoratet kanë rol kryesor në përmirësimin e tregut, prandaj kërkoj nga ju  të bashkëpunoni ngushtë me inspektoratin e tregut në MTI dhe me theks të veçantë në mbikëqyrje të zbatimit të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, ligjin për tregtinë e brendshme si dhe mbështetje dhe bashkëpunim edhe në detyrat e deleguara”, ka thënë ministri Shala.

Ndërsa kryeinspektori i MTI Lulzim Syla, ka thënë se bashkëpunimi mes inspektoratit dhe organeve të tjera kompetente është në nivel dhe se fokusi i tyre është promovimi sa më i madh i produkteve vendore.

Inspektoratet komunale kanë falënderuar ministrin Shala për takimin që ka organizuar dhe kanë theksuar se nuk ka ndodhur më herët që një ministër t’i pret në takim.

Ata kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim dhe kanë adresuar problemet me të cilat ballafaqohen gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.

Ministri Shala është shprehur i gatshëm që do t’iu ofrojë ndihmë teknike dhe logjistike dhe ka vlerësuar se do të ketë takime më të shpeshta që të bashkërendohen punët.

Blerim Hyseni, shef i inspektorëve të tregut, divizioni i Mitrovicës, ka thënë se kanë probleme sidomos me vonesën e shqyrtimit të lëndëve në gjykata dhe ka theksuar se është hera e parë që një ministër i pret në takim./Indeksonline/