I pari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, bën homazhe dhe viziton familjen e heroit, Afrim Bunjaku

24 shtatori do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e qytetarëve si ditë e dhimbjes dhe krenarisë.
Sot u bënë dy vjet nga rënia heroike e policit Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën gjatë sulmit terrorist në Banjskë, duke mbrojtur rendin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ishte i pari nga të gjitha institucionet që shkoi sot për homazhe. Ai bëri homazhe pranë varrit të heroit dhe vizitoi familjen Bunjaku, duke përcjell mirënjohjen dhe respektin e qytetit për sakrificën supreme që ai bëri.
Idrizi tha se Afrimi ishte baba dhe qytetar i ndershëm i Vushtrrisë, që u përball me guxim ndaj një sulmi të organizuar ushtarakisht dhe të financuar nga Serbia. Sipas tij, rënia e tij nuk është vetëm humbje për familjen, por plagë e përbashkët për gjithë Kosovën.
“Heroi ynë do të mbetet përjetësisht shembull i trimërisë dhe përkushtimit ndaj atdheut. Lavdi e përjetshme Afrim Bunjakut”, u shpreh Idrizi.