75 Mall Live Search
09:43 / E Mërkurë, 13 Mars 2019 / indeksADMonline

I plagosuri në Marmull të Gjakovës është jashtë rrezikut për jetë

Në fshatin Marmull të Gjakovës mbrëmë ndodhi një vrasje, ku Tun Bezhi mbeti i vrarë ndërsa Anton Nikollaj u plagos.

Sipas prokurorisë, dyshimet e para është se kjo vrasje ka ndodhur për shkak të çështjeve pronësore.

40-vjecari që kishte jetuar në Cyrih të Zvicrës nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra nga arma dhe vdiq ndërsa i plagosuri është duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Gjakovës.

Sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë.

“Një mashkull K/Shqiptar ka plagosur me armë zjarri dy meshkuj K/Shqiptarë. Viktimat janë dërguar në emergjencë nga familjarët dhe pas një kohe njëri nga viktimat ka ndërruar jetë, ndërsa i plagosuri tjetër, sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në raportin e Policisë.

Policia njofton se për këtë rast ka arrestur dy persona si dhe ka konfiskuar armën e cila dyshohet të jetë e përdorur.

“Me urdhër të prokurorit, njëri prej të dyshuarve është ndaluar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër, pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e Policisë.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion./Indeksonline/