I plagosuri në Pejë në gjendje stabile, pritet t’i nënshtrohet operacionit në QKUK
Afaristi i njohur nga Peja, Jeton Buquku ka mbetur i plagosur të dielën në rrugën “Adem Jashari” në Pejë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Lajmin për IndeksOnline e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, i cili bëri të ditur se i plagosuri fillimisht është dërguar në Emergjencën e Spitalit të Pejës, ndërsa më pas, për shkak të natyrës së plagëve, është transferuar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ndërkohë, gjendja shëndetësore e të plagosurit është stabile.
Këtë e ka konfirmuar mjekja kujdestare në QKUK, Dafina Basholli. Ajo tha se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme mbrojtëse dhe se i njëjti pritet që pas disa ditësh t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjike në Klinikën Ortopedike.
“Gjendja e tij është stabile. I kemi marrë të gjitha masat mbrojtëse që i njëjti, pas disa ditësh, t’i nënshtrohet edhe operacionit në Klinikën Ortopedike”, tha Basholli.
Nga Prokuroria Themelore në Pejë kanë thënë për IndeksOnline se po punohet për identifikimin e personave të dyshuar.
“Prokurori i Krimeve të Rënda ka dal në vendin e ngjarjes bashkë edhe me policinë dhe njësite tjera relevante dhe po punohet intensivisht për ndërmarrjen e veprimeve hetimore për identifikimin e personave të dyshuar”, tha zëdhënësi i kësaj prokurorie për IndeksOnline Shkodran Nikçi. /IndeksOnline/

