75 Mall Live Search
11:15 / E Premte, 01 Dhjetor 2023 / k.v

I riu nga Drenasi dizajnon dhe prodhon makinën me autorësi “Arrera”

Inovatori nga Llapushniku, Qëndrim Thaçi-Qupi, i cili me familjen e vet, me përvojë në autoindustri, ka dizajnuar dhe prodhuar makinën me autorësi të plotë të kompanisë familjare, “Arrera”, po qëndron në vendlindje. Ai sot është pritur në takim nga kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

“Thaçi më bëri ftesë për të marrë pjesë në promovimin e makinës më 25 janar 2024 në Torino të Italisë ku edhe e ka selinë kompania. Makina, prodhim i familjes Thaçi, është e tëra e punuar nga karboni dhe me formën, dizajnin dhe performancën pritet të sjellë risi në autoindustri”, ka thënë Lladrovci.

Kryetari i Drenasit ka përgëzuar Thaçin, duke e uruar për suksese në autoindustri, fushë tejet e rëndësishme në aktualitetin që po kalojmë, njëherësh ky sukses dëshmon përkushtimin e rinisë tonë në garën globale të teknologjisë dhe inovacionit.

“Të rinjtë tanë, kanë dëshmuar qëndrueshmëri dhe aftësi për t’u përballur me trendët të cilat kërkojnë aftësi të jashtëzakonshme, sikur Qëndrimi dhe familja e tij nga Llapushniku e cila po arrin suksese në zemrën e industrisë së makinave, në Torino”, ka thënë Lladrovci duke i uruar suksese Qëndrimit dhe familjes Thaçi: ‘Qoftë hap i parë për suksese të mëtejme, krenar me punën dhe arritjet Tuaja!’