I riu nga Lipjani zhduket me 11 mijë euro, paratë i vjedh nga punëdhënësi

Granit Telaku është i riu nga Topliqani i Vjetër i Komunës së Lipjanit, i cili ka katër ditë që është zhdukur.
Bashkë me të, janë “avulluar” edhe 11 mijë euro.
Dyshohet se ishte pikërisht Telaku, ai i cili i mori këto 11 mijë euro nga kompania në të cilën punonte, gjatë kohës kur ishte duke e shpërndarë mallin.

Burime të Indeksonline njoftojnë se rasti ka ndodhur më 11 maj, ndërsa që nga ajo ditë, as Telaku e as paratë nuk po gjenden askund.
Rasti në fjalë është paraqitur edhe në Polici.
“Ankuesi mashkull kosovar, menaxher i financave në një firmë private, ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar (punëtor i firmës), gjatë shpërndarjes së mallit nga blerësit ka marrë një shumë parash prej 11.000 € dhe nuk është lajmëruar në punë” thuhet në raportin e policisë.
Telaku edhe zyrtarisht është shpallur person i kërkuar nga policia, por që akoma nuk është gjetur.
Është kërkuar edhe bashkëpunimi nga ana e qytetarëve, për të raportuar nëse i njëjti haset ndokund.