I riu nga Podujeva kafshohet nga gjarpri, detyrohet të kërkojë ndihmë në Spitalin e Mitrovicës së Veriut

Një i ri nga Podujeva është detyruar të kërkojë shërim në Spitalin e Mitrovicës së Veriut, pasi në Qendrën Klinike Universitare nuk kishte serum kundër helmimit.
Fatbardh Hyseni dje u kafshua nga gjarpri dhe menjëherë kërkoi ndihmë në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare. Aty ndejti për disa orë, por nuk iu bë zgjidhje, e më pas u kërkua trajtim edhe në Klinikën Infektive.
I riu tregon se më pas është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, por nga Infektiva janë përgjigjur negativisht, pasi nuk kanë pas në stok ilaçin kundër helmimit nga kafsha.
“Kam prit disa orë në Emergjencë, por askush nuk u interesojke për mu. Tani kena lyp në Infektivë. Më kanë çu edhe në Kirurgji Plastike se më ka ra të fikët. Na thanë që s’ka serum as në Infektivë”, ka deklaruar Hyseni për gazetën Shneta.