I riu që ra nga skela në Tiranë dhe humbi jetën, student i infermierisë; punonte që të paguante studimet
Një prej atyre që humbën jetën në ngjarjen e dhimbshme të dy ditëve më parë, teksa ranë në tokë pas këputjes së një skele hekuri ka qenë student në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.
Bestar Veliu humbi jetën pasditen e së premtes në Tiranë, teksa gjatë muajve të verës punonte për të siguruar të ardhura, me të cilat paguante studimet e tij, por edhe ndihmonte familjen.
Ëndrra e tij ishte të mbaronte studimet e larta dhe i kishte nisur ato në Durrës, ndërsa punonte në ndërtim ose punë të ndryshme.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore në Universitetin e Durrësit Pirro Prifti e ka dhënë lajmin e parë për humbjen e jetës së tij, ndërsa shpreh ngushëllimet për familjen.
Bestar Veliu ishte në vitin e dytë të Infermierisë dhe dëshironte të punonte si infermier, por fatkeqësisht ëndrra e tij u pre në mes.