I riu sirian me fytyrë të djegur dëshiron të kthehet në jetën nga e cila ishte përjashtuar

Siriani 23-vjeçar, Abdurrezzak Ridush, nga Idlibi, fytyra dhe dora e të cilit u dogjën nga zjarri që shpërtheu në shtëpinë e tij kur ai ishte ende foshnjë, jeton në Turqi ku u strehua me shpresën se një ditë do të trajtohet për të mos u përjashtuar gjatë pjesës tjetër të jetës së tij.
Jeta arsimore e Ridush-it zgjati vetëm një ditë, pasi u qortua nga mësuesi i tij kur ai shkoi për herë të parë në shkollë fillore, me arsyetimin se i frikësonte fëmijët e tjerë.
I riu nga Idlibi, i cili që nga ajo ditë mendon se njerëzit frikësohen dhe neveriten prej tij, pjesën më të madhe të ditës e kalon në shtëpi, ndërsa del jashtë vetëm në kohët me vranësi ose në orët e mbrëmjes.
Ai nuk pati mundësinë e ndonjë trajtimit në Siri për shkak të mundësive të pamjaftueshme të shëndetësisë.
Me fillimin e luftës së brendshme në Siri në mars të vitit 2011, dhimbjet e Ridush-it u rritën edhe më shumë, ndërsa ai u detyrua që të braktisë shtëpinë e tij në vitin 2018 pas sulmeve të forcave të regjimit të Bashar al-Assad-it në pjesët rurale të Idlibit.
Pasi problemet shëndetësore dhe psikologjike të të riut sirian u rritën në vitin 2019, ai u strehua në Turqi.
I riu, të cilit i është djegur fytyra dhe dora e djathtë i është bërë invalide nga zjarri, tashmë 22 vite nga deformimi nuk mund të mbyllë sytë dhe të flejë, dhe si pasojë vuan nga tharja e syve dhe humbja e shikimit.
Ridush jeton në kryeqytetin turk, Ankara, larg nga familja e tij, ndërsa përpiqet të sigurojë jetesën me ndihmën e bamirësve dhe parave që fiton nga plastika që mbledh nga plehrat.
Ëndrra e vetme e Ridush-it, të cilit i janë refuzuar aplikimet për punë, është të shpëtohet nga plagët dhe të kalojë pjesën tjetër të jetës pa u përjashtuar nga njerëzit.
I riu nga Idlibi me vite jeton me ëndrrën për operim dhe zgjidhje të problemeve të tij shëndetësore.
Ekipi i Anadolu Agency (AA), duke vizituar të riun sirian në shtëpinë ku ai banon, vlerësuan situatën nga afër.
“Më dhemb zemra kur njerëzit më shikojnë me keqardhje”
Ridush në deklaratën për AA tha se nuk e fajëson askënd për shkak të zjarrit që ka shpërthyer nga soba.
“Në zjarr mu dogjën duart dhe fytyra. Gjatë zjarrit në shtëpi isha i vetëm. Mjekët paskan thënë se operacioni mund të bëhet vetëm pas moshës 5-vjeçare. Por në Siri mjekësia nuk ka përparuar aq. Nuk u trajtova. Operacionet plastike kushtojnë shumë dhe gjendja jonë financiare është e qartë”, u shpreh ai.
Ai tregoi se familja e tij tashmë jeton në kampet e refugjatëve në Idlib dhe se shpesh zhvillon biseda telefonike me ta, duke shprehur dëshirën për t’u ribashkuar me familjen e tij një ditë pasi të trajtohet.
“Për shembull nuk mund të dal në vendet e largëta prej ku jetoj. Më dhemb zemra kur njerëzit më shikojnë me keqardhje. Më nuk dua që njerëzit të tallen me mua dhe të më shikojnë me keqardhje kur të më shohin. Prandaj nuk mund të dal jashtë në këto kohë (mesditë). Gjithmonë jam në shtëpi. Dua të punoj por nuk ndodh”, tha ai duke folur për gjurmët që zjarri ka lënë tek ai.
“Në shkollë shkova vetëm një ditë, nuk mundesha ditën e dytë”
Më tej, Ridush, duke vënë në dukje se në moshën e fëmijërisë është përjashtuar nga shoqëria, tha: “Në shkollë shkova vetëm një ditë, nuk mundesha ditën e dytë. Mësuesi im parandaloi arsimimin tim, vetëm bërtiste. Babai im më tha ‘mos shko’ që të mos mërzitem”.
Ai tregon se dialogu i njerëzve në rrugë është i njëjtë pasi gjithmonë pyesin se si ka ndodhur.
“Nuk dua më të dukem ndryshe. Nuk dua që njerëzit të më shikojnë me keqardhje. Shumë ndikohem. Prandaj nuk mund të dal nga shtëpia për t’u fshehur nga shikimet. Është shumë vështirë të pranosh këtë gjendje, zgjidhja ime e vetme është mjekimi. Isha në spitalet këtu, por më thanë që trajtimi është i vështirë. Spitalet private kryejnë operacione plastike”, potencoi Ridush.
“Shpresa ime për mjekim është e vetmja gjë që më lidh në jetë”
Ngjarja më e keqe për të riun nga Idlibi, sipas tij, ka ndodhur në vitin 2018 kur ka migruar në një vend tjetër nga fshati i tij.
Ai tregon se jetesën e siguron me ndihmat që i japin atij.
“Shpresa ime për mjekim është e vetmja gjë që më lidh në jetë”, thotë ai, duke theksuar se trajtimi i tij kushton shumë shtrenjtë.
Nuk mund të mbyll qepallat gjatë fjetjes
Ridush tregon se në mbrëmjet kur është ftohtë, nuk mund të flejë, sepse mendon shumë.
“Natën, gjithmonë mendoj për gjendjen time dhe si mund të trajtohem. Mendimet nuk më lejojnë të fle. Edhe nëse fle, nuk mund t’i mbyll sytë. Mbeten të hapura”, theksoi Ridush, duke treguar se pavarësisht sa mundohet, nuk mund të mbyll qepallat gjatë fjetjes.
Ai falënderoi edhe autoritetet turke, pasi ka marrë mbështetje psikologjike nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke.
“Për të siguruar jetesën, sado pak shkoj e mbledh gjëra nga mbeturinat. Shkova para rreth një jave. (Ndonjëherë) Mbledhim plastika nga mbeturinat dhe i shesim. Nuk dalin shumë. Mezi dalin dhjetë lira (në ditë)”, u shpreh i riu sirian.
Ai shpreh dëshirën që të punojë në një punë të rregullt pa u përjashtuar.