75 Mall Live Search
17:20 / E Mërkurë, 11 Nëntor 2020 / Blerim

I shpallën “non grata” zyrtarët e Qeverisë, Tahiri i fton për kafe nesër gastronomët në zyrën e tij

Qeveria e Kosovës në krye me Avdullah Hotin ka prezantuar sot masat e reja që pritet të miratohen për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Kundër këtyre masave kanë dalë gastronomët e vendit.

Shoqata e Gastronomëve përmes një postimi të bërë në FB ka kundërshtuar të njëjtin vendim, derisa kanë kërkuar nga Qeveria një paketë për rimbëkëmbje në gastronomi në vlerë prej 10 milionë eurosh.

Veç kësaj, gastronomët kanë shprehur se s’do t’u shërbejnë kafe ministrave të kabinetit qeveritar në krye me Hotin.

E i menjëhershëm ka qenë edhe një kundërreagim i zv.kryeministrit të parë, Besnik Tahiri.

Ky është postimi i Tahirit:

Meqë nuk e paskeni kuptuar saktë vendimin e Qeverisë që në një situatë tmerrësisht të rëndë u ka lënë hapësirë që të punoni, minimalisht 14 orë në ditë, edhe pse ka pasur ide që të mbyllej gjithçka dhe meqenëse ju nuk po qitni kafe, atëherë ju thërras unë të gjithë juve nesër në orë 12 për kafe, në zyrën time, në Qeveri. Aty do të sqaroheni edhe më shumë! Mirë se vini!