07:15 / E Martë, 02 Shkurt 2021 / OSH

I shpëtoi masakrës në luftë, sot është oficer në Ushtrinë e Kosovës

Gazetari Korab Lecaj ka treguar një histori sa dhimbjeje po aq edhe krenarie.

Ai ka treguar se si një fëmijë 18 muajsh kishte arritur t’i shpëtoj masakrës së Tërrnjës, e që i njëjti sot ka përfunduar Akademinë usharake, pra është bërë oficer në Ushtrinë e Kosovës (FSK).

Postimi i plotë i gazetarit Lecaj ku rrëfen të gjithë ngjarjen:

Një histori dhimbje dhe krenarie për Aldenisin e vogël që i shpëtoj masakës së Tërrnjës!
(Gjeni dy minuta kohë dhe lexoni deri në fund)

Menjëherë pas luftës (korrik-gusht 1999) tek vendi i quajtur “Lugu i Gjeraqinës”, pak kilometra mbi fshatin tim Brezne (komuna e Dragashit), afër kufirit Kosovë-Shqipëri, në një varrezë masive ishin gjetur trupat e gjashtë grave shqiptare, të cilat për nga veshja, nuk i përkisnin komunës së Dragashit.

Në varrin masiv, përveç trupave dhe gjësendeve të viktimave ishte gjetur edhe një shishe me bebiron e mbushur me qumsht (shih foton më poshtë).

Askush nuk e dinte, se çfarë kishte ndodhur me fëmijun, sepse ai nuk gjendej në varrin masiv. Ngjarja ishte xhiruar me kamerë amatore nga bashkëfshatarët e mi. Ata u kujdesën të gjejnë se cilit vend i përkisnin dhe e kishin kryer punën me nder, deri në fund.

Por unë, do ta tregoj rrëfimin tim.

Në vitin 2007, pasi fillova punën në televizion, bashkëfshatari im Misin Shala, mi ofroj pamjet e xhiruara në varrin masiv dhe personalisht, bëra një film dokumentar “Lugu i gjeraqinave”, për rrëfimin e gashtë grave, të cilat ishin nga fshati Studençan dhe Tërrnje e Suharekës.

Aty mësova për gjithë historinë rrëqethëse të masakrës së Tërrnjës, ku ishin vrarë gjashtë gratë shqiptare.

Aty takova një njeri bujar, të ndershëm, ish-ushtar të UÇK-së, Shkëlzen Krasniqi, i cili në varrin masiv e kishte gjetur nënën dhe bashkëshorten.

Aty takova dhe intervistova edhe Aldenisin e vogël, që gjatë luftës ishte 18 muajsh. Shishja me qumsht e gjetur në varrin masiv ishte e tij. Por, fati kishte dashur që në momentet e masakrës nuk ishte në krahun e nënës, por kishte qenë me hallën e tij.

Pasi kam përfunduar dokumentarin, që nga viti 2007, nuk kam dëgjuar më për Aldenisin.

Sonte mësova se ai, qenka rrit e bërë burrë dhe paska përfunduar Akademinë usharake, qenka bërë Oficer në Ushtrinë e Kosovës (FSK). Shikoni foton me poshtë.

Kur pashë fotografinë e Aldenisit, si oficer i FSK-së, u rrëqetha.

U gëzova! U ndjeva krenar! Më rrodhën lotët.

Ai u rrit nga hiri i luftës dhe sot i shërben shtetit të Kosovës.

Ai do ta dërgoj në vend amanetin e nënës dhe gjyshës si dhe kusherinjve të tij, të cilat u vranë barbarisht nga ushtria serbe.

Aldenisin, shumë shpejt do ta thërras në emisionin tim, t’i ndajmë bashkë rrëfimet, për një histori sa të dhëmbshme aq edhe të lavdishme!