75 Mall Live Search
13:42 / E Premte, 05 Shtator 2025 / P M

I vihet gur themeli kuzhinës qendrore në Podujevë, që do t’u shërbejë 10 mijë fëmijëve

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, vendosën gur themelin e kuzhinës qendrore në Podujevës, e cila do t’u shërbejë 10 mijë fëmijëve, prej çerdheve e parashkollorëve deri te klasat I-IX.

Vlera e këtij investimi është 700 mijë euro. Kuzhina do të ketë një sipërfaqe prej 1150 metrash katror, ku përfshihen salla e restorantit, hapësirat për punëtorë dhe administratë dhe dhomat përcjellëse.

“Ky është një lajm i mirë për mirëqenien e fëmijëve në njërën anë, dhe për kujdesin e komunës e të qeverisë për të drejtat dhe nevojat e fëmijëve në anën tjetër, sepse të gjithë e dimë se mësimnxënia varet shumë nga mirëqenie e nxënësve”, u shpreh kryeministri Kurti me rastin e vendosjes së gur themelit. Ai i falënderoi të gjithë ata të cilët kanë kontribuar deri më tani dhe për punët që do t’i bëjnë në vijim deri atëherë kur do të bëhet përurimi i kuzhinës qendrore.

Ndërkaq, kryetari Bulliqi tha se ky sot është një moment i veçantë për qytetarët e Podujevës. Me këtë kuzhinë, theksoi ai, fëmijët do të kenë mundësi që të kenë ushqim të ngrohtë, dhe kësisoj po bëhen përgatitjet e para që të ecet drejt mësimit gjithë ditor në këtë komunë. Më tej, ai veçoi faktin se Podujeva ka pasur vetëm një çerdhe publike, kurse mandatin e tij po e përmbyll me nëntë sosh. Në fund falënderoi kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Komunës dhe qytetarëve të saj.

Sot në Podujevë po ashtu bëhet përurimi i çerdhes në Kërpimeh dhe përurimi i çerdhes në Orllan.