11:08 / E Premte, 05 Prill 2024 / S Z

IKSHPK-ja u bën thirrje qytetarëve për kujdes nga rriqrat

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), pas rritjes së temperaturave në vend, u ka kërkuar qytetarëve që të kenë kujdes nga pickimet e rriqrave.

Kjo thirrje ka shkuar në veçanti për zonat më të njohura të paraqitjes së rriqrave si Malishevë, Rahovec, Suharekë dhe Klinë.

Megjithatë, në njoftim thuhet se rreziku nga ethet hemorragjike është më i vogël se vitet e kaluara.

“Pavarësisht faktit se që nga viti 2013 nuk është shënuar asnjë rast fatal me EHKK pasi janë realizuar me sukses masat profilaktike dhe kundërepidemike, institucionet e tre niveleve të kujdesit shëndetësor duhet të bëjnë me kohë përgatitjet me që bëhet fjalë për një sëmundje endemike, por edhe vdekjeprurëse. Edhe pse rreziku nga ethet hemorragjike është më i vogël se vitet e kaluara, qytetarëve u bëhet thirrje që të kenë kujdes nga pickimet e rriqrave, sidomos në zonat Malishevë, Rahovec, Suharekë dhe Klinë, por edhe në zonat e tjera, pasi që temperaturat kanë filluar të ngriten dhe rriqrat dalin në sipërfaqe të tokës”, thuhet në njoftimin e IKSHP-së.