75 Mall Live Search
12:59 / E Diele, 04 Shtator 2022 / MSH

Ia sulmoi ministrin Muratin me miell, Molliqaj i reagon Kurtit: Sikletin e ka që PSD vepron jashtë domenit të tij hegjemonik

“Ata që e kundërshtojnë këtë pako edhe mund ta sulmojnë ministrin Murati por nuk kemi të bëjmë me kritika e reagime por vetëm me inat”, deklaroi kryeministri Albin Kurti në një konferencë sot, kur u pyet se ç’mendim ka për sulmin me miell që PSD i bëri dje ministrit të financave, Hekuran Muratit.

Pas kësaj deklarate të kryeministrit ka reaguar i pari i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Sipas këtij të fundit, Kurtit po i dhëmb opozitarizmi i PSD-së.

“Nuk e ka hallin te inati i kujtdo. Madje do të dëshironte të ishte veç inati, që sulmi që bëri të ishte më i pranueshëm në opinion.

Sikletin e ka që PSD vepron jashtë domenit të tij hegjemonik. Opozitarizmi ynë nuk ndikohet dhe as frikësohet ndaj kërkesës së tij për dëgjueshmëri. Është e njejta arsye pse i ka hypur në qafë sindikalistëve” shkroi Molliqaj në Facebook.

Tutje, ai tha se kryeminstri po mundohet të depolitizojë, por që kjo është një përpjekje e dështuar.

“Aty ku nuk mundet t’i nënshtrojë përpjeket mundohet t’i depolitizojë. Përpjekje e dështuar. Sido që të jetë, z. kryeministër, lëre inatin, plotësoje kërkesën e punëtorëve!” përfundoi Molliqaj.