75 Mall Live Search
14:27 / E Martë, 27 Maj 2025 / Z S

Ia vrau djalin në Klinë, Ramadan Shlivova para gjykatës për Jon Hotin: Për mendimin tim, këtë duhet push*atuar

Në një seancë të rëndë në Gjykatën Themelore në Pejë, familjarët e dy të rinjve Rexhep dhe Albison Shlivova, të vrarë në nëntorin e vitit të kaluar në Klinë, u përballën me të akuzuarin Jon Hoti, i cili pranoi fajësinë.

Dhimbja dhe kërkesa për drejtësi e përshkuan çdo fjalë të tyre, teksa baballarët kërkuan dënim të ashpër për shkak të humbjes së parakohshme dhe të dhimbshme të dy djemve të tyre.

Jon Hoti gjatë seancë gjyqësore ka shfaqur pendesë dhe u ka kërkuar falje familjarëve të viktimave.

Në seancë kanë folur edhe baballarët e viktimave, të cilët janë shprehur kundër çdo forme të faljes apo uljes së dënimit për të akuzuarin.

“Për mendimin tem është për pushkatim, se ky ka bo vepra të rrezikshme të cilat nuk i rrok as me Kuran as me ligj”, ka thënë Ramadan Shlivova, babai i Rexhep Shlivovës, transmeton IndeksOnline.

“Për kërkimfalje është pak vonë, sepse nuk është bërë vrasja në çast. Ka para se me kry veprën me gjetë rrugë për mos me kry veprën. Tash çdo gjë është vonë. Kërkimfalja është shumë me vonesë dhe kërkojë të marrë dënimin e merituar”, ka thënë Sefer Shlivova, babai i Albisonit.

Ndërkohë, prokurorja e rastit, Valbona Disha-Haxhosaj, ka kërkuar nga gjykatësi i rastit që mos të merren për bazë lehtësuese kërkim falja dhe pendesa e dorasit.

“Kërkoj nga gjykata që pranimin e fajësisë, kërkim faljen, shprehien e ngushëllimeve mos t’i vlerësojë si rrethana posaçërisht lehtësuese”, ka thënë Disha-Haxhosaj.

Nga ana tjetër, avokati i familjarëve të viktimave, Luan Mehmetaj, ka kërkuar nga trupi gjykues minimum 10 vjet dënim ose burgim të përjetshëm për të akuzuarin Jon Hoti.

“Kërkojmë 10 vjet dënim ose burgim të përjetshëm. Ne e kemi parasysh si e tha edhe prokurorja, kërkimfaljen, shprehjen e keqardhjes, moshën e tij. Megjithatë, ne mendojmë se edhe poqese gjykata i vlerëson këto rrethana lehtësuese, t’i vlerësojë minimalisht”, ka thënë Mehmetaj.

Albison dhe Rexhep Slivova u vranë nëntorin e vitit të kaluar në një lokal në Klinë, në një ngjarje që tronditi opinionin publik.

Procesi gjyqësor ndaj Jon Hotit pritet të vazhdojë në ditët në vijim./IndeksOnline/