75 Mall Live Search
17:09 / E Mërkurë, 25 Qershor 2025 / Z S

Ibrahimi: Komunat po rrënohen financiarisht kurse Qeveria po hesht para krizës së kontratës kolektive

Asociacioni i Komunave të Kosovës ngre alarmin për një krizë të thellë financiare që po godet pushtetin lokal, si rezultat i vendimeve gjyqësore që burojnë kryesisht nga kontrata kolektive, një akt që është imponuar nga niveli qendror, por që po e shkatërron financiarisht nivelin lokal.

Deri më sot, komunave iu janë marrë mbi 46 milionë euro si pasojë e vendimve gjygjësore ku shumica dërrmuese e të cilave shkojnë për zbatimin e një kontrate kolektive që as nuk është negociuar, as nuk është financuar nga vetë komunat. Kjo është një padrejtësi e rëndë institucionale dhe financiare që po paralizon zhvillimin lokal.

Kështu ka deklaruar Sazan Ibrahimi – kryetari i Asociacionit te Komunave te Kosoves

Komunat më të dëmtuara nga kjo situatë janë:

•             Prishtina – mbi 6.2 milionë euro

•             Ferizaj – rreth 6 milionë euro

•             Prizreni – mbi 4.8 milionë euro

•             Deçani – 3.2 milionë euro

•             Mitrovica – 2.4 milionë euro

•             Peja, Rahoveci, Vitia – mbi 2 milionë euro secila

•             Vushtrria – mbi 1.7 milionë euro

•             Skenderaj dhe Suhareka – mbi 1 milion euro

•             Etj etj

Komuna e Ferizajit pothuajse e ka të bllokuara xhirollogarinë, duke mos qenë në gjendje të bëjnë as pagesat bazike. Nëse ky trend vazhdon, shumë projekte kapitale do të mbesin të pazbatuara, e qytetarët do të mbeten pa shërbime jetike.

Qeveria po hesht, edhe pse e di që kjo situatë është pasojë e nivelit qëndror e jo atij lokal dhe e shkaktuar nga vetë ajo. Ka refuzuar me vite të ballafaqohet me problemin e kontratës kolektive, duke ia faturuar padrejtësisht komunave një barrë të papërballueshme.

Asociacioni i Komunave të Kosovës edhe një herë kërkon urgjentisht:

•Krijimin e një fondi emergjent nga niveli qendror për mbulimin e borxheve që nuk janë prodhuar nga komunat;

•Ndryshimin rrënjësor të qasjes qeveritare ndaj pushtetit lokal dhe një rishikim serioz të kontratës kolektive.

Mosreagimi i mëtejshëm nuk është vetëm papërgjegjësi politike por  është dëm i drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve të këtij vendi.