Ibrahimi parashikon që kontrata kolektive në sektorin publik do të shkaktojë probleme financiare për komunat

Asociacioni i Komunave të Kosovës deklaron se komunat janë duke u rrezikuar në aspektin financiar, si pasojë e drejtpërdrejtë e mosveprimit dhe papërgjegjshmërisë së kuvendit, lidhur me vendimin për Ligjin për pagat në sektorin publik.
Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, deklaron se fakti që Gjykata Kushtetuese e ka urdhëruar Kuvendin e Republikës së Kosovës që deri më 1 gusht 2024 të ndryshojë dispozitën në fjalë, ky afat është tejkaluar pa asnjë veprim.
“Si pasojë, komunat mund dhe po përballen me padi të shumta nga nëpunësit civilë, ndërsa disa komuna veçse kanë filluar të pranojnë vendime gjyqësore që i obligojnë për kompensime në bazë të një norme tashmë të rrëzuar si jokushtetuese”, deklaroi Ibrahimi, për IndeksOnline.
Sipas tij, dëmi buxhetor rëndon mbi komunat për shkak të zbatimit të vendimeve që burojnë nga kontrata kolektive në sektorin publik.
Kostoja e kësaj kontrate është vlerësuar të jetë mbi 140 milionë euro për komunat e vendit.
“Prandaj, nëse vazhdon kjo qasje e papërgjegjshme nga institucionet qendrore, komunat rrezikojnë të përballen me pasoja të dyfishta: nga njëra anë, me implikime financiare të paarsyeshme nga një dispozitë ligjore jokushtetuese për të cilën ato nuk kanë asnjë përgjegjësi, dhe nga ana tjetër, me barrën akumulative të detyrimeve nga kontratat kolektive që po përthithin një pjesë të konsiderueshme të buxheteve lokale”, shtoi Ibrahimi.
Ai thotë se ky zhvillim mund të ndikojë direkt në aftësinë e komunave për të realizuar investimet kapitale, për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët dhe për të ruajtur stabilitetin buxhetor.