75 Mall Live Search
13:18 / E Mërkurë, 26 Gusht 2020 / C E

Ibraimi i bindur: Shkëndija do të kualifikohet në rundin tjetër

Dy fitoret e fundit në kampionat ndaj Struga Trim & Lum dhe Makedonija G.P pas barazimit në javën e parë ndaj Shkupit i kanë shërbyer shumë Shkëndijës së Tetovës për të rritur moralin në prag të transfertës evropiane ndaj azerëve Sumqayit, ndeshje e vlefshme për turin e parë kualifikues të Evropa League që do të zhvillohet këtë të enjte në orën 18:00.

Përpara nisjes së Shkëndijës për në Azerbajxhan foli për mediat sulmuesi Besart Ibraimi, i cili ishte njeriu që e realizoi golin e fitores së fundit ndaj Makedonija G.P.

Sipas bomberit objektivi i vetëm i Shkëndijës është kalimi i këtij turi në Evropa League.

“Drejt Azerbajxhanit shkojmë me motiv dhe besim për të kaluar raundin. Natyrisht që në asnjë moment nuk pretendojmë se do të jetë detyrë e lehtë, pasi çdo ndeshje dhe çdo rival ka vështirësitë e veta, por vlerësoj se kemi cilësi për të performuar në nivel të duhur për të marrë rezultatin që do të na kualifikojë”, shprehet Besart Ibraimi.

“Jetojmë kohëra të vështira jo vetëm ne si komunitet i futbollit, por pa përjashtime çdo veprimtari në gjithë botën. Pandemia bën të veten dhe duke qenë aq gjatë jashta procesit të rregullt, sigurisht se nevojitet pak kohë për të kthyer formën optimale. E ndjej personalisht edhe unë në paraqitjet e mia, por besojmë dhe punojmë për të gjetur nivelin e duhur. Goli ndaj Makedonija Gj.P. më motivon dhe kam bindjen se në Azerbajxhan do të jemi në lartësinë e duhur për të kaluar turin”, përfundoi Ibraimi.

Ndaj Sumqayit, Shkëndija nuk do të ketë në dispozicion mesfushorin Armend Alimi, i cili ka rezultuar pozitiv me COVIDIN-19 dhe është izoluar në shtëpinë e tij menjëherë pas sfidës ndaj Makedonija G.P.