11:33 / E Enjte, 18 Gusht 2022 / Gj. Sh

Identifikohen viktimat e Vlorës, 37 vjeçari akuzohej për vrasjen e një biznesmeni tre vite më parë

Shpati Lena është një nga viktimat e atentatit të ndodhur paraditen e sotme në autostradën e Vlorës, në afërsi të vendit të quajtur mbikalimi i Panajasë. Ky shtetas është arrestuar në mars të këtij viti pas 3 vitesh në arrati, për një vrasje të ndodhur në 2019.

Viktima tjetër është shtetasi Agim Xhezo. Edhe ky i fundit dyshohet se është i afërm i një prej personave të përfshirë në vrasjen e tre viteve më parë.

Shpati Lena dhe shoku i tij Ariel Kingji, të arrestuar të dy në 23 mars 2022, akuzohen si autorë të rrahjes së Gazmend Alushit në nëntor të atij viti, sherr i cili solli vrasjen e Arben Beqirajt. Ky i fundit ishte biznesmen dhe kishte një restorant në plazhin e vjetër në Vlorë.

Biznesmeni Beqiraj bashkë me miqtë e tij ishin në lokalin e tyre buzë detit në Vlorë dhe janë bezdisur nga zhurma e kalit, që mbahej nga punëtori i shtetasit Eduart Xhezo, Gazmend Alushi. Viktima e 2019-ës ka debatuar me kujdestarin e kalit dhe e ka rrahur atë bashkë me miqtë e tij.

Gazmend Alushi është ankuar tek pronari i kalit Eduart Xhezo dhe më pas ky i fundit ka shkuar për t’i kërkuar llogari Arben Beqirajt. Të dy palët ishin të armatosura dhe për pasojë biznesmeni vlonjat mbeti i vdekur, në lokalin e tij. Dyshohet se dhe një nga viktimat e sotme, Agim Xhezo, është i afërm i Eduart Xhezos.