13:34 / E Enjte, 11 Prill 2019 / indeksADMonline

IFC dhe Ministria e Bujqësisë e lansojnë sistemin e sigurimit të bujqësisë në Kosovë

IFC, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, i ka bashkuar forcat me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) për ta lansuar sistemin e sigurimit të prodhimtarisë bujqësore në mënyrë që t’i jepet një shtytje zhvillimit të sektorit bujqësor në vend.

Projekti i Agro-financimit për Evropë dhe Azi Qendrore i IFC-së ka punuar me ministrinë për të zhvilluar e implementuar një sistem të sigurimit bujqësor transparent, të qëndrueshëm dhe financiarisht të zbatueshëm me qëllim të përmirësimit të konkurrueshmërisë dhe zhvillimit të këtij sektori. Gjatë viteve 2016 e 2017, bujqësia në Kosovë është vlerësuar se ka humbur rreth 15 milion € në formë të dëmeve, të cilat do të mund të ishin parandaluar me vendosjen e një sistemi adekuat të sigurimit. 

“Tani bujqit në Kosovë mund t’i sigurojnë kulturat e tyre bujqësore, gjë që do t’u mundësojë atyre uljen e rrezikut nga faktorët klimatikë dhe mbrojtjen e investimeve të tyre,” tha Dijana Zhiviç, Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. “Sigurimi i bujqësisë gjithashtu fermerëve u ofron vazhdimësi të veprimtarisë, gjë që çon në të hyra më të qëndrueshme për fermerët dhe ndihmon në ngritjen e eksportit, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e huamarrjes për këtë sektor.”

Ky projekt është pjesë e bashkëpunimit ndërmjet Grupit të Bankës Botërore dhe MBPZHR-së, për ta mbështetur zhvillimin e sektorit të bujqësisë në vend.

“Sigurimi i bujqësisë është një komponentë thelbësore për ta bërë sektorin e bujqësisë më konkurrues, për ta forcuar mjedisin e përshtatshëm, dhe për t’i rritur aftësitë teknike në mënyrë që të ndihmohet në uljen e rrezikut. Sistemi i ri i sigurimit të bujqësisë do të ndihmojë në rritjen e besimit për sa i përket huadhënies për bujqësi, dhe kjo do të ndihmojë pastaj në rritjen e produktivitetit dhe profitabilitetit në Kosovë,” tha Leah Soroka, Menaxhere e Programit të Agro-financimit për Evropë dhe Azi Qendrore e IFC-së.

Projekti i Agro-financimit për EAQ i IFC-së, në partneritet me Ministrinë e Financave e Austrisë dhe Bankën Hungareze Eksport-Import, ka për synim rritjen e qasjes në financa për sektorin e bujqësisë në Ballkanin Perëndimor, Ukrainë, Azi Qendrore dhe Azerbajxhan.

Kosova u bë anëtare dhe aksionare e IFC-së në vitin 2009. Që nga atëherë, IFC-ja ka investuar dhe mobilizuar 391 milionë dollarë në vend përmes pesë projekteve në sektorë të ndryshëm. Shërbimet këshilluese të IFC-së në Kosovë synojnë ta përmirësojnë klimën e investimeve dhe procedurat e falimentimit, të mbështesin kompanitë në sektorin privat, dhe të tërheqin pjesëmarrjen e sektorit privat në zhvillimin e projekteve infrastrukturore.

Për IFC-në

IFC-ja është organizatë simotër e Bankës Botërore dhe anëtare e Grupit të Bankës Botërore – është institucioni më i madh i zhvillimit global i fokusuar në sektorin privat në tregjet në zhvillim. Ne punojmë me më shumë se 2,000 biznese në mbarë botën, duke përdorur kapitalin tonë, ekspertizën dhe ndikimin për të krijuar tregje dhe mundësi në zonat me kushtet më të vështira në botë. Në vitin fiskal 2018, ne kemi dhënë më shumë se 23 miliardë dollarë në financimin afatgjatë për vendet në zhvillim, duke shfrytëzuar fuqinë e sektorit privat për t’i dhënë fund varfërisë ekstreme dhe për të rritur prosperitetin e përbashkët. Për më shumë informata, vizitoni ww.ifc.org