75 Mall Live Search
09:12 / E Martë, 27 Maj 2025 / A. M.

Igli Tare flet si drejtor sportiv i Milanit: Do të rikthehemi protagonistë në Itali dhe në Europë

Pas javësh me zëra dhe negociata, Milani ka tani drejtorin e tij të ri sportiv. Klubi kuqezi ka zgjedhur për këtë rol Igli Taren.

Ish-drejtuesi i Lazios, përmes faqes zyrtare të Milanit, u shpreh kështu për aventurën e tij të re:

“Të bëhesh pjesë e një klubi si Milani është burim krenarie dhe përgjegjësie të madhe. Falënderoj klubin për besimin që më dha, duke ma besuar këtë detyrë. Klubi e njeh vendosmërinë dhe vullnetin tim për të bërë mirë, do të vë gjithë eksperiencën time në shërbim të Milanit, që ka si objektiv absolut rikthimin si protagonist në Itali dhe Europë”.

Edhe administratori i deleguar i Milanit, Giorgio Furlani, komentoi emërimin e Tares si drejtor i ri sportiv:

“Jemi të lumtur ta mirëpresim Igli Taren në familjen kuqezi. Është zgjedhja e duhur për të nisur nga e para. Kompetenca, vendosmëria dhe vlerat e forta, të bashkuara me njohjen solide të futbollit italian dhe vizionin ndërkombëtar, e bëjnë figurën e tij ideale për të kontribuar në rilindjen e klubit tonë. Do ta synojmë këtë përmes zhvillimit të një projekti sportiv ambicioz”.