75 Mall Live Search
21:50 / E Premte, 02 Janar 2026 / Gj Sh

Igli Tare i befasuar me formën e Fullkrug

Drejtori i Milanit, Igli Tare, thotë se kanë qenë “të surprizuar” nga forma e Niclas Füllkrug pas transferimit nga West Ham United dhe mohon se Christopher Nkunku do të shkojë te Fenerbahçe.

Përforcimi i ri, Füllkrug, bën paraqitjen e tij të parë në skuadër pas huazimit nga West Ham United.

“Është e vërtetë që kishte klube të tjera të interesuara për të, por ne na mungonin disa karakteristika në skuadër pas dëmtimit të Gimenez, ndaj bëmë mirë që e sollëm Füllkrugun herët, në marrëveshje me West Ham,” tha Tare për “Sky Sport Italia”.

“Ai sjell shumë fizik, një prani të fortë në zonë, por mbi të gjitha entuziazëm të madh. Të gjithë u surprizuam nga forma e tij e shkëlqyer në stërvitje këtë javë dhe është një lojtar që do të na ndihmojë të arrijmë objektivat tona”, shtoi ai.

Nkunku është jashtë për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës dhe ka pasur raportime se ai është pjesë e negociatave me klubin turk Fenerbahçe, pavarësisht se u transferua nga Chelsea për 37 milionë euro në gusht.

“Është normale që gjatë merkatos të ketë zëra, por ai nuk ka qenë kurrë në dyshim këtu,” tha Tare për Nkunku.

“Atij i duhej pak kohë për t’u ambientuar dhe dëmtimet nuk e ndihmuan. Gjatë dy muajve të fundit kemi parë përmirësime, dy golat që shënoi javën e kaluar do t’i japin shumë besim. Ne besojmë se ai do të jetë një lojtar i rëndësishëm për ne”, vazhdoi shqiptari.

Kishte disa pikëpyetje për formacionin titullar, pasi Strahinja Pavlović po vuan nga simptoma gripi, ndërsa Christian Pulisic dhe Matteo Gabbia nuk janë 100 për qind të gatshëm, ndaj të tre janë në stol.

Kjo do të thotë se Davide Bartesaghi zbret në treshen mbrojtëse, kështu që a po kërkon Milani mbrojtës të rinj për të rritur alternativat?

“Jemi të kënaqur me mbrojtësit tanë, ata po zhvillojnë një sezon shumë të mirë. Sigurisht që jemi vigjilentë gjatë merkatos dhe do të jemi gati nëse shfaqet ndonjë mundësi për ta përmirësuar ekipin, por për momentin jemi të kënaqur me skuadrën,” e mbylli Tare.