75 Mall Live Search
09:16 / E Enjte, 16 Prill 2020 / indeksADMonline

Igli Tare kërkon futbollistin serb për ta transferuar te Lazio

Igli Tare është një gjahtar i vërtetë talentesh dhe këtë e ka treguar vazhdimisht duke marrë lojtarë të rinj nga liga të ndryshme të botës, të cilët pas një apo dy sezonesh te Lazio, janë shitur për shifra shumë të larta në klube të mëdha europiane.

Së fundi në shënjestrën e Drejtorit Sportiv të klubit bardhekaltër ka përfunduar sulmuesi serb i Fiorentinës, Dusan Vlahovic, i cili ka debutuar vetëm këtë sezon në Serinë A dhe ka dhënë sinjale se e pret një e ardhme e ndritur përpara.

Sulmuesi është vetëm 20 vjeç dhe ndiqet nga klube të shumta në Itali e jashtë saj, por Lazio është nga ato skuadra që do t’i garantonte një vend titullari dhe për më tepër do t’i përgatiste rrugën e duhur për t’u rritur e për të pasur një karrierë të shkëlqyer.

Momentalisht presidenti i klubit vjollcë, Rocco Commisso ka deklaruar se nuk do të lejojë asnjë prej lojtarëve të rinj që të largohen nga skuadra, por kundrejt një oferte prej 10-15 milionë eurosh nga ana e Lazios, mund të heqë dorë nga Vlahovic.