75 Mall Live Search
13:08 / E Shtunë, 10 Gusht 2019 / indeksADMonline

IKD: Disa gjykatës seancat gjyqësore i mbyllin për publikun në mënyrë të kundërligjshme

 Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të shtunën ka mbajtur të mbajnë konferencë për media, në të cilën ka publikuar raportin: “Mbyllja e kundërligjshme dhe arbitrare e seancave gjyqësore për publikun në çështjet penale: Analizë e legjislacionit dhe praktikës së GjEDNj rreth natyrës publike të seancave gjyqësore dhe praktikës së mbrapshtë të krijuar nga Sistemi i Drejtësisë në Kosovë”.

Betim Musliu hulumtues i lartë në IKD, tha se gjatë procesit të monitorimit sistematik të seancave gjyqësore në fushën penale, IKD ka evidentuar raste të mbylljes së kundërligjshme dhe arbitrare të seancave të caktuara gjyqësore, informimi për të cilat është i rëndësishëm për publikun, mediat dhe shoqërinë civile. “Duhet theksuar se në përgjithësi të gjitha seancat gjyqësore në fushën penale janë të hapura për publikun dhe median. Megjithatë, ne kemi evidentuar në monitorim, disa raste ku gjykatësit kanë mbyllur seancat gjyqësore në mënyrë të kundërligjshme dhe arbitrare, si dhe kanë ndërtuar praktika të këqija të kundërligjshme përmes kërkesave që ju kanë bërë monitoruesve dhe gazetarëve”.

Gzim Shala, hulumtues në IKD, tha se në aspektin legjislativ Kosova ka arritur të përafrojë kornizën ligjore lidhur me transparencën dhe publicitetin e punës së gjykatave, në pajtim me praktikat dhe standardet ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë apo në të cilat Kosova aspiron për tu anëtarësuar në të ardhmen, si ai i shteteve të Bashkimit Europian. “Në këtë drejtim, praktika e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), jurisprudenca e së cilës në sistemin kushtetues të Republikës së Kosovës është e obligueshme, ka vendosur standarde në këtë fushë.

Shala tha se dispozitat ligjore si ato vendore dhe ndërkombëtare dhe po ashtu edhe praktika e GjEDNj i japin rëndësi jetike proceseve gjyqësore të hapura për publikun dhe palët e interesuara, për të siguruar një proces gjyqësor të drejtë, që qëllim final ka fitimin e besimit të publikut në pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave, gjykatësit e sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës rezulton se ende nuk janë të përgatitur dhe nuk kuptojnë obligimet dhe përgjegjësitë e tyre në këtë fushë. “Kjo për arsye se një numër i caktuar i seancave të natyrës penale në sistemin gjyqësor që IKD i monitoron sistematikisht, mbyllen për publikun nga ana e gjykatësve, dhe në raste të tilla, publiku, media dhe shoqëria civile nuk marrin vendimin për mbylljen seancave gjyqësore, përderisa jo rrallë arsyetimi në vendim është në kundërshtim me parimet e përcaktuara në Kushtetutë dhe KPPK. Sa i përket seancave dëgjimore për shqyrtimin e kërkesave për caktimin e masave të sigurisë, disa prej gjykatave kanë krijuar një praktikë të kundërligjshme, duke i cilësuar këto seanca si parimisht të mbyllura, dhe duke krijuar laramani në trajtimin e kësaj çështje brenda gjykatave të Republikës së Kosovës”.

Betim Musliu ka elaboruar disa prej rasteve të analizuara në raportin e IKD-së, në të cilat gjykatësit kanë vendosur në mënyrë të të kundërligjshme dhe arbitrare. “Monitoruesit e IKD-së kanë evidentuar raste kur gjykatësit kanë përjashtuar publikun dhe median pa marr vendim të shkruar të arsyetuar mirë, pastaj raste të aprovimit të kërkesave të pandehurve pa bazë ligjore dhe pa nxjerr vendim, duke kërkuar nga mediat që në raste të caktuar të raportohet me iniciale, raste të vendimeve paradoksale të gjykatësve, ku lejojnë monitorimin dhe raportimin prej seancës por nuk lejojnë xhirimin me kamera dhe raste të tjera të vendimeve arbitrare”.

Për të gjitha këto raste të mbylljes së kundërligjshme dhe arbitrare të seancave gjyqësore, sipas hulumtueses Justina Frrokaj, nuk ka pasur një reagim të duhur institucional nga mekanizmat përgjegjës në sistemin gjyqësor. “IKD vazhdimisht shpreh shqetësimin në lidhje me mungesën e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor dhe në këtë drejtim, në këto raste të evidentuara në procesin e monitorimit tonë, nuk ka pasur asnjë lëvizje në drejtim të mbajtjes përgjegjës të këtyre gjykatësve që mbyllin seancat në mënyrë të kundërligjshme. Kjo praktikë, sikurse në këto raste të analizuara nga IKD, duhet të shërbejë për të gjithë gjykatësit që mos të veprojnë në këtë mënyrë, duke rrezikuar një ndër parimet bazë të një gjykimi të drejtë që është parimi i publicitetit”.

Frrokaj tha se IKD kërkon që mekanizmi i llogaridhënies përmes Kryetarëve të Gjykatave dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës të jetë efikas në adresimin e këtyre rasteve në mënyrë që të sigurohen se po zbatohet një ndër parimet bazë të një gjykimi të drejtë që është publiciteti.