IKD: Konstituimi i kuvendit, obligim kushtetues për të kthyer stabilitetin dhe legjitimitetin institucional

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) u ka bërë thirrje deputetëve që të konstituojnë kuvendin pa vonesë dhe të hapin rrugën për formimin e qeverisë, duke theksuar se vetëm kështu garantohet stabiliteti dhe legjitimiteti institucional.
Sipas IKD-së, pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka sqaruar çështjet kyçe për konstituimin e Kuvendit, çdo vonesë e mëtutjeshme thellon krizën institucionale dhe cenon funksionimin demokratik të institucioneve. Instituti kërkon që të lihen anash interesat partiake dhe të vihet në plan të parë interesi shtetëror dhe qytetar.
IKD-ja ka paralajmëruar se moskonstituimi i kuvendit ka lënë një numër institucionesh thelbësore pa kuorum dhe shumë të tjera në prag të jofunksionalitetit, përfshirë Avokatin e Popullit, Autoritetin e Konkurrencës, Komisionin e Pavarur për Media, Gjykatën Kushtetuese, Fondin e Kursimeve Pensionale dhe bordet e ndryshme publike.
Tutje, sipas IKD-së, bllokimi institucional ka penguar miratimin e Planit të rritjes 2024-2027 në vlerë prej 882 milionë euro dhe marrëveshjet ndërkombëtare me partnerë si Banka Botërore, Gjermania e Franca, duke rrezikuar zhvillimin ekonomik, projektet infrastrukturore dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
IKD-ja ka theksuar edhe problemin e ushtrimit paralel të mandateve nga disa deputetë, të cilët vazhdojnë të mbajnë edhe postet e ministrave në qeverinë në detyrë, gjë që sipas vendimit të Gjykatës Supreme të 15 korrikut përbën shkelje të Kushtetutës dhe ligjit.
“Respektimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese është i paalternativë dhe përbën vlerë të qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit”, ka theksuar IKD-ja, duke shtuar se barra kryesore për konstituimin e kuvendit bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve.
Sipas institutit, Vetëvendosje ka dy mundësi reale: të propozojë një kandidat për kryetar të Kuvendit që ka mbështetjen e partive të tjera ose të arrijë marrëveshje politike me një subjekt tjetër. Ndërkohë, është theksuar se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka përgjegjësi të posaçme për ta çuar deri në fund procesin e konstituimit dhe nuk duhet ta ndërpresë seancën pa u arritur zgjedhja.
IKD-ja ka bërë thirrje që konstituimi i kuvendit të përfundojë brenda afatit kushtetues 30-ditor, duke paralajmëruar se çdo shmangie nga ky afat është antikushtetuese dhe dëmton funksionalitetin demokratik të institucioneve të Kosovës.