75 Mall Live Search
09:28 / E Premte, 30 Janar 2026 / KV

IKD: Mosorganizimi i provimit të jurisprudencës nga Ministria e Drejtësisë shkel ligjin dhe cenon të drejtat e kandidatëve

Sipas Ligjit Nr. 08/L-033 për provimin e jurisprudencës [neni 4.1]: “Organizimi i provimit të jurisprudencës është kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë”, derisa paragrafi 2 i po këtij neni parasheh se “provimi i jurisprudencës organizohet tre (3) herë brenda një (1) viti kalendarik”.

Hera e fundit kur Ministria e Drejtësisë ka organizuar provimin e jurisprudencës ka qenë afati i prillit 2025. Gjatë gjithë vitit 2025, MD-ja ka organizuar vetëm këtë afat të provimit, duke mos përmbushur detyrimin ligjor për organizimin e tij në tri afate brenda vitit kalendarik.

Në këtë mënyrë, deri tani, janë të paktën dy (2), e potencialisht edhe tri (3), afate gjatë të cilave Ministria e Drejtësisë ka qenë e obliguar të organizojë provimin e jurisprudencës, por që nuk i ka realizuar.

Fillimisht, kjo situatë paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit. Përderisa ligji e përcakton qartë numrin e afateve të provimit të jurisprudencës që duhet të organizohen brenda një viti kalendarik, dhe përderisa Komisioni për provimin e jurisprudencës është funksional, nuk ekziston asnjë pengesë ligjore që ky proces të mos organizohet.

Përtej shkeljes së ligjit, kjo situatë cenon të drejtën në karrierë të juristëve të rinj, të cilët kanë pritje legjitime që procesi i provimit të jurisprudencës të organizohet në përputhje me afatet ligjore. Në rrethanat aktuale, kandidatët nuk kanë mundësi t’i nënshtrohen këtij procesi, duke u pamundësuar avancimi në karrierë dhe, potencialisht, duke u humbur atyre mundësi konkrete punësimi dhe zhvillimi profesional.

Një kategori tjetër e personave të prekur janë kandidatët që kanë mbetur në riprovim. Përkundër faktit se këta kandidatë e kanë kaluar pjesën me shkrim të provimit, disa prej tyre kanë mbetur në riprovim në një ose më shumë lëndë. Për shkak të mosorganizimit të provimit të jurisprudencës, këta kandidatë e kanë të pamundur ta finalizojnë këtë proces, duke u shkaktuar vonesa dhe dëme të drejtpërdrejta në avancimin e tyre profesional.

Duke mos ditur arsyet e këtij mosveprimi, IKD-ja i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të veprojë menjëherë dhe të organizojë provimin e jurisprudencës, në përputhje të plotë me obligimet ligjore, duke respektuar ligjshmërinë dhe të drejtat legjitime të kandidatëve.