14:30 / E Martë, 24 Nëntor 2020 / Blerim

IKD: Në Llap po mbahen tubime të partive politike, policia të veprojë përballë shkeljeve të masave anti-Covid-19

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj mënyrës së mbajtjes së fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës.

Bordi këshillëdhënës COVID-19, më 27 tetor 2020 i është drejtuar ministrit Shëndetësisë, Armend Zemaj, me një raport të përmbledhjes së qëndrimeve të dala nga mbledhja e nëntë (9) e këtij bordi.

Pika 1 e këtij dokumentin nënvizon se “Ndalohen të gjitha tubimet publike për fushatën zgjedhore gjatë zgjedhjeve lokale dhe të zbatohen masat parandaluese sipas IKSKPK-së dhe MSH-së”. Ky qëndrim rikonfirmohet edhe në një pjesë tjetër të dokumentit, te kapitulli “Fushata”, ku thuhet decidivisht se “Ndalohen të gjitha tubimet publike për fushatën zgjedhore”.

Nga ana tjetër, Qeveria e Republikës së Kosovës, më 11 nëntor 2020 ka nxjerrë vendimin për masat e përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, pika 12 e të cilit vendim përcakton se “Ndalohet grumbullimi i qytetarëve prej më shumë se 5 personave në sheshe publike, parqe dhe vende publike, me përjashtim të rasteve të lejuara me këtë vendim”, derisa në rastet e lejuara në këtë vendim, nuk hyn organizimi i tubimeve publike në fushatë zgjedhore.

Pika 13 e këtij vendimi të nxjerrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës përcakton se “Ndalohen të gjitha tubimet publike, përfshirë seminaret, punëtoritë, dasmat dhe ahengjet familjare, ceremonitë dhe veprimtaritë fetare (përveç familjes së ngushtë), si dhe çfarëdo forme tjetër e organizimit me përjashtim të rasteve të lejuara me këtë vendim”. Ndërsa, pika 27 e këtij vendimi përcakton se “Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në zbatimit të Ligjit nr.07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës”, derisa në pikën 28 të të njëjtit vendim thuhet se “Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit nr. 07/l-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës”.

Fushave parazgjedhore për zgjedhje lokale në Komunën e Podujevës është hapur më 23 nëntor 2020, derisa në media janë shfaqur tubimet e tri (3) partive politike: Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Tubimi i LDK-së me rastin e hapjes së fushatës parazgjedhore është zhvilluar në kundërshtim të hapur me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e përgjithshme dhe specifike për mbrojtje nga pandemia COVID-19 dhe në kundërshtim të hapur me rekomandimet e Bordit këshillëdhënës COVID-19. Në këtë takim publik, është parë grumbullim i qytetarëve në kundërshtim me masat e vendosura.

Me këtë rast, IKD-ja thekson faktin se masat e vendosura nga Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i përjashtojnë nga zbatimi aktorët politikë me rastin e zhvillimit të fushatave parazgjedhore, derisa Bordi këshillëdhënës COVID-19 specifikisht përmend faktin e ndalimit të fushatave publike.

Mosrespektimi i këtyre masave nga të tri (3) partitë politike paraqet kundërvajtje sipas Ligjit nr.07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Territorin e Republikës së Kosovës.

Për këto arsye, IKD-ja i bën thirrje Policisë së Kosovës që edhe në raport me partitë politike të veprojnë në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të mos tregojë qasje selektive ndaj politikave në raport me qytetarët, të cilët sanksionohet vazhdimisht për shkelje të kësaj natyre.

Po ashtu, IKD-ja i bën thirrje edhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të reagojë në kuadër të kompetencave të veta në drejtim të mbajtjes së fushatës parazgjedhore në përputhje me ligjin dhe vendimet e tjera.