IKD: Neni 31 i Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2026 shkel obligimet kushtetuese
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka analizuar Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2026 dhe ka gjetur se ky projektligj shkel obligimin Kushtetues për rregullim të shtesës në pagë të zyrtarëve publik.
Në aktgjykimin e nxjerrë përkitazi me kushtetutshmërinë e Ligjit Nr.08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, përkatësisht aktgjykimit në rastin KO79/23, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se reduktimi i pagesës për zyrtarët publik gjatë pesëmbëdhjetë viteve të para të karrierës së tyre, nuk është në përputhje me Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese e obligoi Kuvendin e Republikës së Kosovës që brenda afatit prej gjashtë (6) muajve të kthejë dispozitën lidhur me pagesën e përvojës së punës në të paktën 0.5%, e cila pagesë do të realizohej nga data e hyrjes në fuqi të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese (1 shkurt 2024).
Megjithëse Gjykata Kushtetuese obligoi amandamentimin e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, Qeveria synon ta bëjë këtë me Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2026, i cili është një ligj që vlenë vetëm për një (1) vit dhe nuk respekton standardin e kërkuar.
Në anën tjetër, edhe vet mbi Projektligji mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2026 nuk respekton këtë aktgjykim. Neni 31.2 i këtij Projektligji thekson se “2. Në pajtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese KO79/23, në vend të rregullimit sipas paragrafit 6 të Nenit 6 të Ligjit Nr. 08/L-196 të Pagave në Sektorin Publik, paga bazë rritet në bazë të përvojës së punës, në masën zero pikë pesë për qind (0.5%) për çdo vit të plotë pune, duke filluar nga data 1 janar 2026”. Kështu, përkundër faktit se Gjykata Kushtetuese urdhëroi që pagesa të bëhet nga data 1 shkurt 2024, ky Ligj nuk i përmbahet afatit kohor siç ka theksuar Gjykata Kushtetuese. Kjo pasi përkundër se Gjykata Kushtetuese ka vendosur që pagesa e diferencës të bëhet nga data 1 shkurt 2024, Projektligji në fjalë e shtrinë këtë pagesë nga data 1 janar 2026.
Kjo mënyrë e veprimit paraqet shkelje kushtetuese qysh në Ligjin e parë të miratuar nga Qeveria. Kjo duke krijuar një situatë të qartë të moszbatimit të një aktgjykimi kushtetues, i cili sipas Kushtetutës ka fuqi juridike të barabartë me normën kushtetuese.
Në këtë mënyrë, për shkak të mos veprimit sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, mbi 90,000 zyrtarë publikë kanë pësuar dëm financiar real. Mos veprimi në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese shkel të drejtat e tyre dhe obligon të njëjtit që të kërkojnë realizimin e të drejtave në rrugë gjyqësore, duke rrezikuar vërshimin e gjyqësorit me lëndë të kësaj natyre.
IKD i bën thirrje Kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe deputetëve të Kuvendit që të mos e miratojnë Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2026 në këtë formë, por duke larguar nenin 31 dhe iniciuar ndryshimet e nevojshme ligjore në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, duke siguruar kthimin e mjeteve në mënyrë retroaktive nga 1 shkurti 2024.

