IKD: Qeveria në detyrë s’ka të drejtë të propozojë buxhet
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se Qeveria Kurti 2 është qeveri në detyrë dhe nuk ka të drejtë të propozojë propozojë buxhet e as Kuvendi nuk ka të drejtë të propozojë buxhetin e qeverisë në detyrë.
Shala ka thënë se Ligji për Qeverinë thotë se “Qeveria në dorëheqje ka të drejtë t’i propozojë Kuvendit miratimin e Buxhetit të Republikës së Kosovës”.
Por, ai thotë se Qeveria Kurti 2 është qeveri në detyrë e jo qeveri në dorëheqje.
“Ligji për Qeverinë (neni 31.2) thekson se “…Qeveria në dorëheqje ka të drejtë t’i propozojë Kuvendit miratimin e Buxhetit të Republikës së Kosovës.” Por, po ky ligj përcakton edhe se çfarë është një Qeveri në dorëheqje. Për këtë, neni 30.2 thekson se: “Qeveri në dorëheqje konsiderohet në situatat si në vijim: 2.1. Pas shpërndarjes së Kuvendit deri në zgjedhjen e Qeverisë së re; 2.2. Pas dhënies së dorëheqjes së Kryeministrit apo në çdo rast tjetër në të cilin posti i Kryeministrit mbetet i lirë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re në pajtim me nenin 95 të Kushtetutës, dhe nëse kjo nuk arrihet, deri në situatën e përcaktuar në paragrafin 2.1 të këtij neni; 2.3. Pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj saj, nga ana e Kuvendit, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.” Asnjëra prej këtyre situatave nuk aplikohet në rastin e Qeverisë Kurti, e cila është Qeveri në detyrë dhe jo Qeveri në dorëheqje. Qeveria në dorëheqje i referohet një qeverie që është zgjedhur nga një legjislaturë e caktuar, e që vazhdon punën deri në momentin e zgjedhjes së Qeverisë së re, dhe jo në rastet kur Qeverisë i ka përfunduar mandati. Në rastin konkret, Qeveria në detyrë nuk është zgjedhur nga kjo legjislaturë dhe nuk i takon asaj. Prandaj, Qeveria në detyrë nuk ka të drejtë të propozojë buxhetin, e as Kuvendi nuk ka të drejtë ta votojë propozimin e buxhetit të kësaj qeverie në detyrë”, ka shkruar Shala në Facebook.
Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë të hënën se ka paqartësi se si do të vazhdohet procesi me buxhetin.
“Një vend pa buxhet është një vend që nuk mund të ec përpara. Ne kemi të drejtë ta propozojmë buxhetin për 2026 në Kuvendin në bazë të ligjit për Qeverinë, por na duhet të bëjmë edhe shumë konsultime me juristët për të parë se cila është rruga përpara”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se problem në këtë fazë përbën fakti se ende nuk janë formuar as Komisionet parlamentare dhe ka shprehur drojë nëse përmbajtja do të miratohet në Kuvend.
“Ka shumë të panjohura në rrugën përpara dhe dita e djeshme i ka shtuar ato”, ka thënë ai.
Pa formimin e komisioneve të Kuvendit, nuk do të mund të ekzekutohet buxheti në fillimvit, as duke u bazuar në projeksionet e buxhetit aktual.

