15:28 / E Martë, 23 Korrik 2019 / indeksADMonline

IKD: Qeveria në largim s’ka legjitimitet të udhëheqë procesin e zgjedhjes së noterëve

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj shpalljes së konkursit publik për zgjedhjen e noterëve të shpallur sot nga Ministria e Drejtësisë (MD).

IKD kupton rëndësinë e përmbylljes së procesit të përzgjedhjes dhe emërimit të noterëve të ri, por pasi qeveria aktuale është në largim, thekson se ministritë e linjës nuk kanë legjitimitet të marrin vendime për udhëheqjen e proceseve të rëndësishme, sikurse është rasti konkret.

Kur kësaj i shtohet fakti, se rreth provimit të noterisë është zhvilluar një debat i gjerë publik me akuza të ndërsjella rreth mënyrës së udhëheqjes së këtij procesi dhe përzgjedhjes së kandidatëve të suksesshëm, IKD vlerëson se si i tillë, ky proces është i kompromituar në publik.

“Kompromitimi në publik i procesit të noterëve dhe mungesa e legjitimitetit të Qeverisë në largim për të marr vendime në interes të përgjithshëm, e zbehin besimin e publikut në këtë proces të zgjedhjes së noterëve të ri”, thuhet në deklaratë.

IKD fton Ministrinë e Drejtësisë të reflektoj mbi situatën e krijuar dhe të ri-shikoj vendimin për shpalljen e këtij konkursi, i cili është i domosdoshëm por jo në këtë fazë kur Kosova udhëhiqet nga Qeveria në largim.