75 Mall Live Search
10:49 / E Enjte, 16 Janar 2025 / LB

IKD: Qeveria ta rishikojë draftstrategjinë kundër korrupsionit

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), të enjten ka publikuar raportin “Saga e strategjisë kundër korrupsionit”, në të cilin analizohet draftstrategjia kundër korrupsionit e publikuar nga zyra e kryeministrit.

Fillimisht, IKD thekson faktin se Kosova nuk ka strategji kundër korrupsionit që nga viti 2019 dhe se nuk është respektuar as edhe afati për përfundimin e strategjisë, i cili ishte deri më 1 dhjetor 2023

Përmes një komunikate për media, IKD-ja thekson se përkundër vonesave të pakuptueshme dhe të panevojshme nga qeveria aktuale në miratimin e strategjisë, ndërmarrja e veprimeve drejt hartimit të draftstrategjisë kundër korrupsionit është një hap pozitiv drejt përmbushjes së këtij obligimi ligjor, me kushtin që të trajtohen me kujdes komentet dhe sugjerimet e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare gjatë procesit të konsultimit publik.

Në komunikatë, thuhet se analiza konstaton po ashtu se nuk ishte respektuar as rregullorja e punës së qeverisë në lidhje me afatin për komente.

Kjo pasi, sipas IKD-së, ishte ofruar një afat prej vetëm nëntë ditë pune për të dhënë komente në platformën e konsultimit, duke injoruar afatin minimal prej 15 ditësh.

Gjithashtu, IKD gjen se draft-strategjia dhe draft-plani i veprimit nuk janë hartuar në përputhje me manualin e qeverisë për planifikimin, hartimin dhe monitorimin e dokumenteve, strategjive dhe planeve të tyre të veprimit.

Për më tepër, IKD-ja gjen se ky dokument ka mangësi substanciale në identifikimin e problemeve, nuk bën një pasqyrim real dhe praktik të problemeve në fushën e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, në mënyrë që lehtësisht të identifikoheshin edhe masat e nevojshme.

Tutje, aty thuhet edhe se draftstrategjia përfshin masa të cilat nuk përbëjnë qartësisht masa antikorrupsion.

Sipas IKD-së, draftstrategjisë i mungojnë masa të rëndësishme në fusha kyçe kundër korrupsionit dhe se shumë prej fushave kruciale që paraqesin potencial të lartë për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, nuk janë pjesë e draftstrategjisë.

IKD-ja thekson se draft-strategjia duhet të bëjë një pasqyrim adekuat të gjendjes faktike dhe të përmbajë edhe problemet praktike të ngritura nga publiku viteve të fundit.

Sipas IKD-së, procedurat e mbyllura të prokurimit publik kanë ngritur dyshime për transparencën dhe ligjshmërinë e shpenzimit të parasë publike.

Po ashtu, thuhet se raportimet për hakmarrje ndaj sinjalizuesve tregojnë për dobësi të sistemit në mbrojtjen e këtyre personave që luajnë një rol kyç në zbulimin e keqpërdorimeve.

Më tej, theksohet edhe se dyshimet për keqpërdorime në ministri të ndryshme, përdorimi i kontratave njëburimore nga qeveria dhe nivelet komunale, si dhe korrupsioni i pretenduar në ndërmarrjet publike, sjellin në pah nevojën për rritjen e mbikëqyrjes institucionale dhe pavarësisë nga ndikimet politike.

Tutje, në këtë raport thuhet edhe se dyshimet për përfshirjen e zyrtarëve të lartë shtetëror në veprime të kundërligjshme dhe dyshimet për probleme në ndarjen e subvencioneve, evidentojnë nevojën për trajtimin e këtyre fushave.

Sipas IKD-së, këto problematika kërkojnë një qasje gjithëpërfshirëse në draft-strategji.

Po ashtu, IKD-ja gjen se në shumë raste, draft- strategjia përmban vetëm përshkrim të burimeve të caktuara dhe jo një qasje dhe vlerësim analitik të të dhënave mbi bazën e këtyre burimeve. Përkundër se fokusi në digjitalizim dhe transparencë konsiderohet si aspekt pozitiv, IKD-ja thekson se kërkohet specifikim i veprimeve dhe vlerësim i rreziqeve për këtë qëllim.

Përveç tjerash, IKD-ja ka identifikuar edhe pasaktësi në përmbajtjen e draftstrategjisë.

Në lidhje me pasaktësitë, në komunikatë thuhet se draftstrategjia i është referuar indeksit të Transparency International për vitin 2024, përderisa i njëjti nuk është publikuar ende.

Po ashtu, IKD thekson edhe se draft-strategjia i është referuar gabimisht Komisionit të Venecias si organ i Bashkimit Evropian, përderisa i njëjti është organ i Këshillit të Evropës.

Ndërkaq, bëhet e ditur se IKD i ka rekomanduar Qeverisë që draft-strategjia të shqyrtojë parandalimin dhe luftimin e korrupsionit përmes dimensionit gjinor.

Lidhur me këtë, sipas IKD-së, qasja gjinore në raport me parandalimin dhe luftimin e korrupsionit do të theksonte rëndësinë e përfshirjes së grave në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

Ndërkaq, IKD-ja vlerëson se në draftstrategji duhet të trajtohen edhe disa masa të rëndësishme në fushën e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit.

“Disa prej masave që duhet të përfshijë draftstrategjia kanë të bëjnë me 1) Parandalimin dhe menaxhimi i konfliktit të interesit; 2) Mbrojtja e sinjalizuesve; 3) Vlerësimi i rreziqeve të korrupsionit në fusha apo sektorë të ndryshëm dhe vlerësimi i rreziqeve dhe zbrazëtirave të legjislacionit (primar dhe sekondar) që potencialisht mund ta rrisin korrupsionin 4) Vlerësimi nëse legjislacioni është në pajtim me standardet ndërkombëtare kundër korrupsionit, harmonizimi i legjislacionit me direktivat e BE, 5) Ndihma juridike ndërkombëtare, 6) Anëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtarë, 6) Policia e Kosovës, 7) Konfiskimi i pasurisë së kundërligjshme, 7) Planet e Integritetit, 8) Niveli sekondar i qeverisjes, 9) Diskutimet publike në rastet e vendimeve qeveritare me efekt të gjerë financiar etj”, thuhet me tej në komunikatën e IKD-së.

Në fund, bëhet e ditur se IKD-ja ka gjetur se propozimi për zgjerimin e kompetencave të Gjykatës Kushtetuese, për ta bërë atë institucion mbikëqyrës të KGJK-së dhe KPK-së, bie ndesh me Kushtetutën dhe rolin e drejtësisë kushtetuese në Kosovë.

Kjo pasi, sipas këtij raporti, këto masa mund të kufizojnë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe krijojnë një disbalancë në ndarjen e pushteteve.