75 Mall Live Search
17:12 / E Hënë, 29 Qershor 2026 / H F

IKShPK alarmon për përhapjen e fruthit, 47 raste të konfirmuara në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se numri i rasteve të konfirmuara me fruth në vend ka arritur në 47.

Sipas njoftimit, rastet janë regjistruar gjatë periudhës 16 prill – 29 qershor 2026, në disa komuna të Kosovës.

Numri më i madh i të prekurve është raportuar në Prishtinë me 14 raste, e ndjekur nga Ferizaj me 12 raste dhe Kaçaniku me 6 raste. Ndërkohë, në Fushë-Kosovë janë regjistruar 3 raste, ndërsa nga dy raste janë raportuar në komunat Lipjan, Vushtrri, Shtime dhe Obiliq.

Njoftimi i plot:

Përditësim mbi situatën epidemiologjike me fruth

29.06.2026

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) njofton se gjatë periudhës 16 prill deri më 29 qershor 2026, në Kosovë janë raportuar gjithsej 47 raste të konfirmuara me fruth.

Sipas komunave, numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës me katërmbëdhjetë (14) raste, komuna e Ferizajt me dymbëdhjetë (12) raste; Kaçaniku me gjashtë (6) raste; Fushë-Kosova me tre (3) raste; Lipjan, Vushtrri, Shtime dhe Obiliq, me nga dy (2) raste; si dhe me nga një (1) rast komunat: Gjilan, Drenas, Deçan dhe Viti.

IKShPK rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore.

Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare.

Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa-vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.