75 Mall Live Search
21:14 / E Diele, 01 Mars 2020 / indeksADMonline

IKSHPK me njoftim të ri: Në Kosovë nuk ka koronavirus

Pavarësisht se sëmundja vdekjeprurëse e koronavirusit, ka përfshirë tashmë pothuajse të gjitha kontinentet e botës, Kosova vazhdon të qëndrojë e sigurt.

Sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, nga data 8 shkurt deri 1 mars, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 33 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

Nga data 1 shkurt deri me 1 mars nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 1.223 udhëtarë. Nga aeroporti “Adem Jashari” 322 udhëtarë, Vërmicë 367, Merdare 461, Hani i Elezit 22, Dheu i Bardhë 37, Kullë 7 dhe Qafë Morinë 7 udhëtarë.

Sot, në ANP “Adem Jashari” ekipet mjekësore të aeroportit bashkë me QKMF- Obiliq, Inspektoratin Sanitar të Agjensionit të Ushqimit dhe Veter inës të mbështetur nga ekipi i IKSHP-së kanë kontrolluar të gjithë udhëtarët e ardhur sonte nga Verona e Italisë, sipas protokolleve të OBSH-së dhe ECDC dhe tek asnjëri nuk janë gjetur shenja klinike të sëmundjes.

Udhëtarët janë rekomanduar të qëndrojnë në shtëpitë e veta, të evitojnë kontaktet e afërta me persona, të evitojnë përshëndetjen me shtrëngimin e duarve, të mbajnë higjienën personale dhe larjen e duarve dhe në rast të shfaqjes së temperaturës, kollitjes apo vështirësive në frymëmarrje duhet të paraqiten te mjeku i familjes me historikun e udhëtimit.

Ndryshe, në nivel global deri më 29 shkurt, janë raportuar gjithsej 87.024 raste me COVID-19 dhe 2.979 raste të vdekjes.

Në BE dhe Britani të Madhe janë raportuar 1.520 raste me COVID-19 dhe 31 raste të vdekjes.