IKSHPK pritet të dërgojë përsëri mostra për testim jashtë vendit për variantin anglez dhe të Afrikës së Jugut

Pak javë më parë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë pati dëguar 35 mostra për testim në institutin e virologjisë “Charite” në Berlin të Gjermanisë, me qëllim të hulumtimit rreth pranisë së varianteve të reja të virusit SARS-COV-2, në Kosovë.
Me këtë rast u konfirmua se varianti anglez i Covid-19 ka prekur edhe kosovarët, pasi 3 prej mostrave rezultuan pozitivë, shkruan IndeksOnline.
Mirëpo ende nuk dihet se a ka raste të reja të infektimit me variantin B.1.1.7.
Nga IKSHPK-ja në një përgjigje për IndeksOnlinen e kanë konfirmuar se në të ardhmen priten të dërgohen prapë mostra për testim, por nuk kanë ndonjë datë të caktuar.
Ndërsa, bën të ditur se IKSHPK-ja është në process të sigurimit të RT PCR për detektimin preliminar të varianteve anglez dhe atij të Afrikës së Jugut, pa pasur nevojë për sekuencionim, një metodë gjenetike që tregon se ai virusi i parë dhe i dyti gjenetikisht a janë të njëjtë apo ndryshojnë. Nëse janë të njëjtë është vazhdim, nëse ndryshojnë atëherë ka riinfeksion.
“Është e mundur që në të ardhmen të dërgojmë prapë mostra për detektim të varianteve të reja të SARS-CoV-2, por në këtë moment nuk kemi një datë të caktuar për dërgim të mostrave.
Jemi në proces të sigurimit të RT PCR kiteve për detektim preliminar të varianteve B.1.1.7. (UK) dhe B.1.1.7 (B.1.351 (South Africa), pa pasur nevojë për sekuencionim, në RT PCR aparatet që i kemi në IKSHPK, por do të nevojiten edhe disa javë derisa t’i kemi në dispozicion.
Variantet e reja të SARS-CoV-2 nuk japin pasqyrë klinike të ndryshme të infeksionit me COVID-19 krahasuar me SARS-CoV-2 pa variante kështu që nuk mund të ketë raste të dyshimta nga aspekti klinik”, thuhet në përgjigjen e tyre për IndeksOnline.
Ndryshe, kujtojmë se dy variantet e reja të Covidit-19 kanë shtyrë shumë shtete të futen përsëri në bllokim për shkak të numrit të lartë të të infektuarve./IndeksOnline/