IKSHPK: Uji i pishinës së Gërmisë nuk i plotësoi standardet, priten rezultatet tjera

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në kuadër të monitorimit të rregullt të cilësisë së ujit në pishinën publike të Gërmisë në Prishtinë, ka konstatuar devijime nga standardet mikrobiologjike pas analizave laboratorike të kryera më 19 korrik 2025.
Sipas njoftimit zyrtar nga IKSHPK-ja, mostrat e marra nga ekspertët e ekologjisë humane u analizuan dhe rezultatet e datës 22 korrik treguan se parametrat mikrobiologjikë të ujit nuk përmbushin standardet e kërkuara për sigurinë e pishinës.
Menjëherë pas publikimit të këtyre rezultateve, Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë ka kryer një vizitë inspektuese në vendngjarje, po atë ditë.
Për të konfirmuar situatën dhe për të marrë masa të mëtejshme, më 23 korrik janë marrë mostra të reja, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të publikohen të premten, më 25 korrik 2025.
IKSHPK-ja ka njoftuar se sapo të jenë të gatshme të dhënat e reja, qytetarët do të informohen përmes kanaleve zyrtare të institutit./IndeksOnline/