10:34 / E Enjte, 24 Nëntor 2022 / AR

“Ilaçe në vend të bukës”, të braktisur nga talebanët dhe bota, afganët shesin vajzat dhe organet për të mbijetuar

Afganët po u japin fëmijëve të tyre të uritur ilaçe për t’i qetësuar, ndërsa të tjerët kanë shitur vajzat dhe organet e tyre për të mbijetuar. Në dimrin e dytë që kur talebanët morën pushtetin dhe fondet e huaja u ngrinë, miliona njerëz janë një hap larg urisë.

Një reportazh i BBC-së sjell në vëmendje përmes dëshmive Afganistanin në pushtetin e talebanëve mes urisë dhe mbijetesës.

“Fëmijët tanë vazhdojnë të qajnë dhe ata nuk flenë. Ne nuk kemi ushqim. Kështu që shkojmë në farmaci, marrim tableta dhe ua japim fëmijëve tanë që të ndihen të përgjumur”, tha njëri nga banorët.

Të tjerë kanë treguar tableta me escitalopram dhe sertraline që trajtojnë depresionin dhe ankthin, por ua jepnin fëmijëve të tyre.

Mjekët thonë se kur u jepen fëmijëve të vegjël që nuk marrin ushqimin e duhur, ilaçe të tilla mund të shkaktojnë dëmtim të mëlçisë, së bashku me një sërë problemesh të tjera si lodhja kronike, gjumi dhe çrregullime të sjelljes.

Shumica e familjeve treguan se hanin bukë thatë në mëngjes dhe natën e zhytnin në ujë për ta lagur.

OKB-ja ka thënë se një “katastrofë” humanitare po shpaloset tani në Afganistan. Kur talebanët morën pushtetin gushtin e kaluar, pa asnjë njohje ndërkombëtare për qeverinë e re de-fakto, fondet e huaja që derdheshin në Afganistan u ngrinë, duke shkaktuar një kolaps ekonomik që i la burrat pa punë në shumicën e ditëve.

Gazetarët e BBC tregojnë se kudo në Afganistan njerëzit detyroheshin të merrnin hapa ekstremë për të shpëtuar familjet e tyre nga uria.

Një njëzetvjeçar shiti për 3100 dollarë veshkën e tij për të shlyer paratë e marra borxh për urinë e familjes së tij.

“Nëse hamë një natë, nuk hamë tjetrën. Pas shitjes së veshkës, ndihem sikur jam gjysmë njeriu. Ndihem i pashpresë. Nëse jeta vazhdon kështu, ndjej se mund të vdes”, tha ai.

Ndërkohë një nënë e re deklaroi se shiti veshkën e saj shtatë muaj më parë dhe tani po detyrohet të shesë vajzën e saj 2-vjeçare, pasi 2,700 dollarët që mori nuk mjaftojnë

“Tani po detyrohemi të shesim vajzën tonë dyvjeçare. Njerëzit nga të cilët kemi marrë hua na ngacmojnë çdo ditë duke na thënë na jep vajzën tënde nëse nuk na e kthen dot”, tha ajo.