22:07 / E Martë, 30 Tetor 2018 / indeksADMonline

Ilir Deda: Në dhjetor të hiqen vizat – kriter mund të jetë suspendimi nëse nuk sundon ligji

Deputeti i partisë opozitare Alternativa, Ilir Deda, ka thënë se vendet e BE-së më 17 dhjetor duhet të marrin vendim që të liberalizohen vizat për kosovarët.

“Në dhjetor duhet të merret vendim pozitiv. Mund të vendoset edhe një kriter shtesë: Që nëse Kosova nuk ka sukses në fushën e sundimit të ligjit, të suspendohen. Nëse s’ke përparim në sundimin e ligjit, të të thuhet se të hiqen vizat – mandej gjithçka do të funksionojë”, ka thënë Deda, njofton Klan Kosova.

Deda në Zona B, ka thënë se duhet të ketë një konsensus politik për këtë proces.

“Për liberalizimin e vizave nuk guxojmë të jemi të përçarë. I kemi edhe një muaj e gjysmë. Vendimi duhet të merret në dhjetor dhe deri më 1 qershor 2019, që është prodecura më e shpejtë për të lëvizur pa viza. Ne nuk kemi konsensus për asgjë në Kosovë, por duhet ta kemi një qëndrim se çka ndodh në momentin kur Evropa tradhton Kosovën, sepse është obligim të cilin nuk po duan të përmbushin”.

Deda ka thekuar se Serbia duke bërë presion ndaj vendeve që kanë refuzuar t’ia japin vizat ka arrit të dalë fituese në këtë proces vite më parë.

“Kështu ka qenë njëjtë kur i ju kanë hequr vizat Serbisë. Holanda ka qenë kundër për shkak të Karaxhigjit dhe Mlladiqit. Dhe serbët shkuan në Holandë, krejt bashkë, që t’ju hiqen vizat dhe Holanda në fund me gjithë problemet politike morri vendim që Serbia e cila kishte brenda territorit Mlladiqin dhe Karaxhiqin ia heqin vizat. Janë 12 shtete që sot janë skeptike për vizat për Kosovën, por nuk mund të thuash ‘kuku zot shkuam’, nuk duhet dorëzuar”.

Temat: