Ilir Ferati me fjalë prekëse në lamtumirën e Haki Rugovës

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka qenë pjesëmarrës në ceremoninë mortore të ish-kryetarit të kësaj Komune, Haki Rugova.
Në fjalimin e tij, Ferati e quajti Rugovën veprimtar të palodhshëm të kauzës për liri, pavarësi dhe demokraci.

Ai shtoi se jeta e Haki Rugovës nuk ishte aspak e lehtë, por që ishte e veçantë, për shkak të një jete kushtuar shërbimit të popullit.

Ky është fjalimi i plotë i kryetarit Ferati:
Lamtumirë, Haki Rugova!
Fjala ime në ceremoninë mortore të Kryetarit shumëvjeçar të Istogut, nënkryetarit të LDK-së dhe veprimtarit të palodhshëm të kauzës tonë për liri, pavarësi e demokraci, Haki Rugova:
E nderuar familje Rugova,
I nderuar Kryetar i LDK-së, Lumir Abdixhiku,
I nderuar Akademik, Isa Mustafa,
Të nderuar anëtarë të kryesisë së LDK-së, deputetë, përfaqësues të Presidencës, të partive politike e të klerit fetar,
Të nderuar miq dhe bashkëpunëtorë të Haki Rugovës,
Të nderuar qytetarë të Cerrcës, të Istogut e të Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Çdo dimër i ftohtë e me acar na e kujton se sa e madhe është sakrifica e popullit tonë për liri, pavarësi e demokraci. Çdo dimër, po sikur ky sot, na i kujton njerëzit e idealit, të luftës e të pendës, të paqes e demokracisë, na i kujton ata që dimri me të vërtetë na i morri nga kjo botë fizikisht, por veprën e tyre të madhe nuk ka acar aq të fortë që ta ngrij – ajo jeton me ne sepse është flakadan i përjetshëm.
Haki Rugova nga sot po i bashkohet këtij vargu të intelektualëve të mëdhenj e patriotëve të pandalshëm që i humbëm në dimër. Ai po i bashkohet bashkudhëtarëve të tij, po i bashkohet miqve të tij, ndërsa vepra e Haki Rugovës tashmë është pjesë e flakadanit të pashueshëm të lirisë, pavarësisë e demokracisë – vepra e tij tashmë është pjesë e përjetësisë.
Jeta e Haki Rugovës nuk ishte sikur e çdo njeriu tjetër, jeta e tij nuk ishte e thjeshtë, nuk ishte e lehtë – por ishte e veçantë sepse ishte një jetë në shërbim të atdheut e popullit. Para 32 viteve kur okupatori fashist serb na kishte suprimuar nga çdo e drejtë njerëzore e politike, Haki Rugova kishte vendosur që të i bashkohet grupit të intelektualëve në krye me Ibrahim Rugovën për të i rezistuar Milloshevicit e për të filluar kështu një rrugëtim politik që sot e njohim si bazamenti i shtetësisë së Kosovës. Ai u bashkua me Lidhjen Demokratike të Kosovës atëherë e nuk u ndal më kurrë, para asnjë furtune, e deri në frymën e tij të fundit, së qenuri anëtar e aktivist i pandalshëm e i palodhshëm i saj. Haki Rugova me punën e tij të madhe e vullnetin e pandalshëm kaloi me votë nëpër të gjitha strukturat e LDK-së, për të kulmuar në udhëheqje të saj si Kryetar Dege në Istog e Nënkryetar i LDK-së në nivel vendi.
Kosova e pasluftës, aq sa ishte e arritur e madhe e popullit tonë, ishte edhe përgjegjësi për udhëheqësit tanë që të krijojnë një shtet të fortë e funksional. E kujt tjetër përveç LDK-së që kishte mbështetje plebishitare nga populli i takonte kjo përgjegjësi?! Prandaj në këto rrethana, Haki Rugova si Kryeshef Ekzekutiv e pastaj si Nënkryetar Komune ka luajtur rol kolosal në formimin e forcimin e institucioneve komunale. Komuna moderne e Istogut, kjo që kemi sot, lirisht mund të thuhet që është bashkëthemeluar nga Haki Rugova me bashkëpunëtorë. Ky dedikim i tij, ndaj shtetit e ndaj njerëzve që e rrethonin, u shëndrrua në përkrahje të madhe për të nga të po të njëjtit. Prandaj në vitin 2010, pasi bashkudhëtari e shoku i tij i idealit kishte ndërruar jetë, Haki Rugova zgjedhet kryetar, me plot meritë e me votë të pakontestueshme, i Komunës së Istogut. Ai do vazhdonte e do fitonte zgjedhjet në të njëjtën mënyrë edhe për dy mandate tjera – i fitonte sepse qytetari Istogas ka vlerësuar gjithmonë drejtë; prandaj ishte e thjeshtë për secilin që përballë punës e dedikimit të tij për Istogun ta mbështesnin Kryetarin e tyre pa rezervë, siç edhe kanë bërë – përherë.
E nderuar Zanë, i nderuar Ilir, shumë e dashtun Norë, e nderuar znj. Fitore, ju sot po e përcjellni prindin e bashkëshortin Tuaj në botën e amshueshme. Më besoni që thellësisht bashkëndjej me Ju dhe e di se sa e rëndë është kjo për Ju. Por dua të ju kërkoj që të ndalni lotët për një moment e të ndjeheni pafundësisht krenar me prindin e bashkëshortin që patët. Të ndjeheni krenar sepse emri Haki Rugova do jetojë gjatë e do përmendet nëpër breza, të ndjeheni krenar që Kosovës i dhatë një personalitet si ai, të jeni krenar që Istogu kishte një Kryetar si Ai.
Baci Haki, me dhimbje të thellë po ju përcjellim sot në destinacionin tënd të fundit. Prandaj të lutem mos vono shumë e shko atje ku po të presin shokët. Mos u vono shumë e shko të Ibrahimi – Ibrahim Rugova, shko te Fadili Ferati, shko, baci Haki, te Shaban Manaj. Shko, Kryetar, te shokët e tu të jetës e veprës politike.
Zoti e bekoftë Haki Rugovën dhe familjen e Tij!
Lamtumirë, z. Kryetar!
