Ilir Ferati në 16-vjetorin e shuarjes së Fadilit: Rruga dhe ideali i tij vazhdon përmes nesh
Sot shënohet 16-vjetori i shuarjes së Fadil Feratit, ish-kryetarit të Istogut dhe nënkryetarit të LDK-së. Ilir Ferati e ka quajtur babain e tij si udhërrëfyesin e tij më të mirë.
“Sot shënohen 16 vjet nga dita kur u nda nga jeta babai im, Fadil Ferati, nënkryetar i LDK-së dhe kryetar historik i Istogut. Ai i përkiste atij brezi njerëzish që jetën e vunë në shërbim të qytetit dhe njerëzve të vet, me ndershmëri, përgjegjësi dhe vizion.
Kontributi i tij për Istogun dhe Kosovën nuk ishte vetëm politik, por njerëzor dhe moral. Gjurmët që la pas janë të dukshme edhe sot dhe për ne mbeten udhërrëfyes. Me krenari e them se rruga dhe ideali i tij vazhdojnë të jetojnë përmes nesh.
Bashkë me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës z. Lumir Abdixhiku, miq, bashkëpunëtorë dhe shumë qytetarë, e kujtuam Fadilin dhe veprën e tij që nuk harrohet.
Faleminderit nga zemra të gjithë atyre që ndanë kohën dhe ishin pranë familjes sonë për ta nderuar Fadilin dhe atë që ai përfaqësonte”, shkruan Ferati në Facebook.

