Ilir Kulla: Rusia ka qenë e gatshme ta njihte Kosovën në nëntor të 2020-s
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Ilir Kulla, në emisionin “Matrix” në Televizionin Tëvë1 ka treguar se ka zbuluar një dokument të rëndësishëm që sugjeron se Rusia ka qenë e gatshme ta njohë Kosovës si shtet të pavarur në vitin 2020.
“Kur e gjeta këtë dokument, mbeta pa fjalë. Kjo është një letër diplomatike e dërguar nga zyra diplomatike e Rusisë në Prishtinë, më 26 nëntor 2020, një ditë para Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës”, tha Kulla.
Në dokumentin e siguruar nga Kulla më 26 nëntor 2020, thuhet se zyra diplomatike ruse ka nderin të informojë Ministrinë e Jashtme të Kosovës për emërimin e Adrej Shogurov si shef të zyrës diplomatike të Rusisë në Prishtinë. Kulla theksoi se dokumenti tregon gjithashtu gatishmërinë e Rusisë për të rinovuar bashkëpunimin me ministrinë kosovare.
“Zyra diplomatike e Rusisë në Prishtinë shprehte mundësinë dhe oportunitetin për të rinovuar marrëdhëniet me Ministrinë e Jashtme të Kosovës, duke siguruar se Kosova mund të ketë një bashkëpunim të ngushtë me Rusinë për sigurinë e qytetarëve të saj”, shtoi Kulla.
Eksperti i sigurisë theksoi se kjo letër diplomatike është një dëshmi e qartë se Rusia kishte mundësinë dhe dëshirën për të njohur Kosovën si shtet të pavarur, përmes një procesi diplomatik.
“Kjo tregon se Rusia ka qenë e gatshme që ta njihte Republikën e Kosovës si një shtet të pavarur që në nëntor të vitit 2020”, përfundoi Kulla.

