75 Mall Live Search
11:38 / E Premte, 19 Shkurt 2021 / OSH

Ilir Meta me akuza ndaj Qeverisë së Ramës: Nuk ka transparencë në procesin e vaksinimit

Presidenti Ilir Meta u shpreh se vendi rrezikon të ketë një katastrofë epidemiologjike sa i përket situatës së pandemisë në vend, pasi Qeveria nuk ka marrë masat e nevojshme.

Kreu i shtetit gjatë konferencës së përjavshme theksoi se nuk ka transparencë në procesin e vaksinimit dhe nuk mund të ketë ndarje klasore në këtë proces. 

Sipas tij, ndarja klasore është një skemë tipike që zbatohet nga diktatorët.

“Kriteret e ndarjes klasore për të marrë këtë shërbim jetik janë tipike për diktaturat dhe diktatorët. Nuk mund të lihen me mijëra mjekë pa pajisje mbrojtëse. Nuk mund të lihen qytetarët të përballen me çmimet kaq të larta të testimeve. Nuk mund të lihen qytetarët në banesë, të cilët shpenzojmë shumë”, tha kreu i shtetit, shkruan euronews.al.

Presidenti theksoi më tej se tani është koha për të rishikuar edhe buxhetin e shtetit në mbështetje të sektorit të shëndetësisë duke investuar në mënyrë konkrete dhe jo sekrete në sektorët më të nevojshëm.

Ai nënvizoi më tej se Qeveria duhet që përveç sektorit të shëndetësisë të mbështesë edhe biznesin, i cili është dëmtuar shumë gjatë periudhës së pandemisë.