Ilir Tahiri i PDK: Hani Elezit, Kaçaniku, Vitia, Gjilani, Kamenica dhe Novobërda kanë nevojë për të rritur përfaqësimin e tyre në parlament

Kandidati i PDK-së për deputet, Ilir Tahiri, ka thënë se Hani Elezit, Kaçaniku, Vitia, Gjilani, Kamenica dhe Novobërda kanë nevojë për të rritur përfaqësimin e tyre në parlament.
Tahiri sot, në Komunën e Hanit të Elezit, bashkë me nënkryetarin e kësaj komune dhe kandidatin për deputet, Sevdi Dernjani, kanë takuar një pjesë të strukturave të Degës së PDK-së, disa veprimtarë, veteranë, familjarë të dëshmorëve dhe aktivistë të PDK-së, për të kërkuar votën për kandidatë.
”Nevoja e një aleance rajonale për komunat e Hanit të Elezit, Kaçanikut, Vitisë, Gjilanit, Novobërdës dhe Kamenicës është jetike për rajonin tonë.
Mungesa e përfaqësimit në Parlament dhe institucionet qeveritare i ka lënë këto komuna pas, si për nga zhvillimi, ashtu edhe për nga përfaqësimi. Mobilizimi i madh dhe angazhimi i aktivistëve për të na mbështetur me vota në këto zgjedhje është një shpresë e madhe për kthimin e zërit tonë në Parlament dhe institucionet e tjera qendrore.
Mirënjohje të thellë për të gjithë aktivistët dhe qytetarët që po na mbështesin nëpër Kosovë, neve dhe Partinë Demokratike, si dhe kandidatin për kryeministër, Bedri Hamza.” ka thënë ai.

