19:06 / E Martë, 02 Janar 2018 / k.v

Imami që promovon tolerancën ndërfetare 

Është imami më i përfolur në media. Herë për të mirë e herë edhe për të keq. Gjërat që i mendon ua thotë në sy të gjithëve. Intervistat e tij ngjallin debate dhe ndiqen me interesim të madh. Është promovues i tolerancës ndërfetare. Për herë të parë shumica e njerëzve e kanë parë në varrimin e pjesëtarëve të familjes Jashari në Prekaz. Është ky imami nga Drenasi, Mulla Osman Musliu i cili është intervistuar nga Indeksonline.

Indeksonline: Hoxhë, për herë të parë shumica e njerëzve të njohin nga marsi i vitit 1998, në varrimin e pjesëtarëve të familjes Jashari në Prekaz, nga ajo kohë keni raporte të afërta me këtë familje, si e keni përjetuar atë moment dhe sa vështirë ka qenë të kryhet ceremonia e varrimit?

Osman Musliu: Unë për ceremoninë e varrimit të familjes së vrarë të Jasharëve kam folur disa herë publikisht edhe e kam thënë atë që e kam parë dhe që e kam përjetuar. As që më ka rënë ndërmend ndonjëherë në jetë të përfitojë nga ajo tragjedi diçka personale sepse nuk do të isha as hoxhë, as musliman, as shqiptar, por as edhe njeri. Jam ndier shumë keq kur mbas disa viteve kam kuptuar se ka njerëz, shqiptar, musliman që janë marrë me asi planesh të pista, duke synuar të përfitojnë nga tragjeditë e popullit të vet; as që ma ka marrë mendja se mund të ekzistojë një tendencë e tillë. Këta “njerëz” ose janë të çmendur ose tepër të poshtër dhe të prishur. Familja Jashari, me siguri, që nga fillimi e kanë kuptuar sinqeritetin tim dhe dhimbjen që kam pasur për atë familje dhe prej atij momenti më kanë llogaritur si pjesë e familjes së tyre. Natyrisht që edhe unë mundohem që mos të bëjë asnjë veprim që mërzitë apo lëndon këtë familje. Besoni se për mua më e rëndësishme është fytyra e buzëqeshur e Bacës Rifat sesa e gjithë pasuria e Kosovës. Gjithashtu mendoj se ne si popull në krye me udhëheqësit tanë duhet të mendojmë më shumë se si t’i bëjmë këta njerëz të lumtur e jo ta harrojmë atë sakrificë aq të madhe të kësaj familje. Ndihem tepër i respektuar nga kjo familje, për këtë e falënderoj Zotin dhe këtë familje në krye me bac Rifatin me djemtë dhe nipërit e tij. Në anën tjetër unë ndiej dhembje dhe shqetësim të thellë për shkak se me duket që shteti dhe ne si shoqëri nuk u japim respektin dhe vendin që meritojnë ata, si në evenimentet që organizohen nga shteti, ashtu edhe në aktivitetet tona kulturore, por gjithashtu edhe në tekstet historike, duke filluar nga librat e shkollës fillore. Mendoj që në Kosovë ka heshtje dhe hezitim të qëllimshëm për të treguar dhe vlerësuar sa duhet këtë familje: të mos harrojmë se familja Jashari në vitin 1998 kanë bërë heroizëm dhe sakrificë të madhe për kombin shqiptar, ndërsa ne si shtet dhe si shoqëri duket se kemi mbetur prapa sa i përket vlerësimit që duhet bërë asaj familje.

Indeksonline: Jeni njëri prej imamëve më të përfolur në mediat në vend, çka ju bënë më të veçantë se imamët tjerë?

Osman Musliu: Është e vërtetë se jam njëri nga imamët më të përfolur në Kosovë, por jo gjithmonë për të mirë. Disa herë me të drejtë e shumë herë pa të drejtë më kanë kritikuar dhe lavdëruar, besa edhe më kanë fyer e sharë. Të veçantë me kanë bërë qëndrimet e mija të guximshme që i kam thënë publikisht në kohën e duhur dhe vendin e duhur. Kur e përdorë fjalën “të guximshme” e kam për qëllim të theksoj se të kesh qëndrime kundër valës e cila mbizotëron është një sfidë si dhe është një rrezik në të njëjtën kohë. Rrezik sepse si nga masa, poashtu edhe nga njerëzit që kanë pushtetin në dorë, bëhesh njeri i padëshiruar. Ndërsa, rreziku tjetër është përgjegjësia nëse gabon në qëndrimin tënd. Mirëpo në këto situata gjithmonë i kam kujtuar dy fjalë të Muhammedit a.s.:

  1. “Ai që heshtë përballë së keqes është shejtan pa gjuhë”. Ky hadith më ka motivuar gjithmonë që mos të jem i heshtur përballë të këqijave brenda popullit tim;
  2. “Dijetari kur gjykon (më qëllim për ta gjetur të saktën) merr shpërblim edhe nëse ia qëllon, por edhe nëse gabon. Nëse ia qëllon ka dy shpërblime: njërën për përgjigje të sakt dhe tjetrën për mundin e të menduarit. Ndërsa, nëse gabon merr shpërblimin e mundit që ka bërë”. E shikoni se si Muhammedi a.s na ka porositur që të mendojmë dhe të mundohemi për të mirë, edhe nëse gjatë kësaj përpjekje ndodh që të gabojmë. Kjo është veçoria e Islamit që duhet ta ndjekim. Unë, edhe pse nuk jam dijetar, prapë kam një përgjegjësi fetare, më mirë të gaboj, por të kem mundësi që ta paraqes para Zotit kur të dalë mundin tim modest, sesa të jem prej “shejtanëve të heshtur!”

E vështirë ka qenë kjo periudhë pas lufte në Kosovën tonë sepse i është dhënë mundësia njëherë të mirit e dhjetë apo njëqind herë të keqit që t’i shpreh mendimet e veta . Unë iu kam bërë ballë me guxim, sinqeritet dhe drejtësi dukurive të këqija shoqërore në këtë periudhë. Ndoshta kjo më ka bërë të veçantë. Për fat të keq në Kosovë kemi shumë imamë që flasin kundër dukurive negative nëpër oda, nëpër ndeja, por pak dalin publikisht ta shprehin pakënaqësinë ose të flasin të vërtetën. Unë një pjesë të madhe e kuptoj dhe e di për presionin, shantazhin, trysnin dhe të gjitha rrethanat tjera, por prapë besoj se duhet të jemi më idealistë në disa çështje dhe duhet thënë e keqja në çfarëdo situate të pafavorshme që gjendemi.

Indeksonline: A mund ta bëni një krahasim, si është mbajt feja Islame paraluftës dhe si po praktikohet ajo tani, cili është dallimi?

Osman Musliu: Fenë Islame nuk mund ta mbron dhe nuk ka nevojë ta mban askush sepse Zoti e garanton: kjo është e vërtetë, feja Islame ka fuqi që t’i prek zemrat dhe mendjet e shumë njerëzve në këtë botë. Besimtarët e vërtetë as para lufte as mbas lufte nuk kanë ndryshuar sjelljet dhe qëndrimet e tyre dhe kurrë nuk janë të luhatur në fenë Islame. Poashtu, është një e vërtetë se sot ka një interesim më të madh për fenë nga ana e rinisë. Por kjo rini duhet drejtuar nga e mira, nga e drejta dhe nga ajo që e ngritë si fetarisht, ashtu edhe intelektualisht, ashtu që të jetë e dobishme për këtë vend. Në Kosovë dhe në trojet shqiptare ka ndodhur një ndryshim i madh në mesin e hoxhallarëve dhe në mesin e Bashkësive Fetare Islame që gjenden në trojet shqiptare, sidomos që pas luftës e këndej. Me sa duket pas luftës në Kosovë janë futur shumë para të pista me lloj-lloj emrash dhe populli thotë: “Ai që të paguan edhe këngën ia këndon”. Këtu mund të fusim edhe organizata të besimeve, të  ideologjive dhe grupacioneve të tjera jashtë islamit. Të gjitha “të një sahani janë”, kështu thotë populli. Ne e dijmë se ka organizata që paguajnë fonde të majme për t’i “fetarizuar” rininë e Kosovë apo për t’i “demokratizuar” ata përmes organizimit të aktiviteteve të ndryshme. Kemi dëgjuar për disa kampe me rininë e Kosovës ku zhvillohen aktivitete promovuese për konvertim, për homoseksualizim, pornografi etj. Krejt këto janë pjesë e asaj që unë i quaj “lama e dreqit”. Për fat të keq disa hoxhallarë, sidomos kreu i BIK-ut, institucionin fetar e ka shndërruar në degë biznesi dhe në kompani private, ku i kanë punësuar sojin e vet, anëtarët e familjeve të veta, miqasin dhe shërbëtorët. Shkurt, njerëz që janë të gatshëm ta përkrahin dreqin dhe të birin e dreqit pa e lodhur kryet se ku qëndron e vërteta dhe kujt i shërben me votën që e ngre dorën sa herë që kërkon Bossi Naim Tërnava. Por unë prapë besoj se njerëzit fetarë e atdhetarë gjithmonë janë shumicë vetëm se pjesa më e madhe e tyre e zgjedhin heshtjen. Ajo që duhet të bëjmë në shoqërinë tonë është të gjejmë mënyrën që t’i zgjojmë këta njerëz nga heshtja për t’u përballur me të keqën.

Indeksonline: Jemi dëshmitarë të shumë sulmeve terroriste nëpër botë. Shumë kush terrorizmin e ka lidhur me Islamin, pse po ndodhë kjo?

Osman Musliu: Për terrorizmin, të ashtuquajtur Islamik, shumë është folur këtyre viteve në mbarë botën. Nuk ka mbetur kush pa i futur hundët dhe pa hedhur ndonjë gur kundër Islamit dhe kundër muslimanëve. Unë me sa kam lexuar historinë e muslimanëve dhe arabëve prej mbas luftës së dytë botërore, arabët dhe muslimanët nga dëshira për t’u çliruar nga kolonializmi evropian u mashtruan dhe u afruan shumë me Bashkimin Sovjetik, Rusinë. Këtë e bën me shpresën se ky shtet do t’iu ndihmojë të çlirohen me luftëra dhe revolucione komuniste, kështu e larguan një dreq që i kishte okupuar fizikisht – Evropën, dhe pranuan të bëhen rob të mendjes dhe ideologjisë komuniste, apo të një dreqi më të madh. Prej kur u bë revolucioni komunist në Egjipt prej Naserit, arabët dhe muslimanët nuk kanë pasur lidhje me Islamin e vërtetë, të gjitha shtetet kanë pasur një Islam të vetin sa për t’i mashtruar popullin musliman. Gjatë luftës ndërmjet Evropës, Amerikës dhe Rusisë sa zgjati komunizmi, muslimanët janë përdorur si mjet lufte duke luftuar kundër njeri-tjetrit. Edhe sot për fat të keq vazhdon ky shfrytëzim i muslimanëve për qëllime të ndyshme strategjike. Vetëm se ka ndërruar prapë shfrytëzuesi apo “GAZDA”. Islami si fe nuk ka lidhje me terrorizmin, këtë e di krejt bota. Por muslimanët mbasi nuk patën fatin të ndërtojnë një shtet të madh si forcë atomike, kanë mbetur në “mëshirën” e të fortëve që bëjnë eksperimente me popullin dhe rininë Islame, që derdhin gjakun e njeri-tjetrit shumë më shumë sesa kundër të tjerëve.

Indeksonline: Në një kohë jeni marr edhe me politikë, pse u larguat nga politika, çfarë ju pëlqej dhe çfarë nuk ju pëlqej aty?

Osman Musliu: Unë asnjëherë nuk jam marrë me ndonjë profesion tjetër përveç atij të imamit. Me politikë kam tentuar të merrem më 2007 dhe u mora më të. Kohë pas kohe merrem sa për ta parë fytyrën e politikës dhe politikanëve. Politika është profesion shumë i ndershëm dhe mjeshtri e veçantë për të zgjidhur probleme shumë të vështira. Mendoj se nëse me politikë merren ata që e dinë zanatin dhe nuk e keqpërdorin atë, do të ishte zgjedhje e duhur dhe sot do ishim diku tjetër si popull. Por politika në dorë të njerëzve të paditur dhe të prishur është më shumë se një tragjedi për vendin, për popullin dhe për mbarë njerëzimin .

Indeksonline: Pasi vini nga Drenasi, na tregoni se si po punon kryetari i ri Ramiz Lladrovci, po ashtu një njëri shumë i përfol në media, a po vëreni ndonjë dallim në qytet apo në përmirësimin e jetës së qytetarëve prej kohës së qeverisjes së tij?

Osman Musliu: Nuk i jap veti të drejtë të vlerësojë punën e Ramiz Ladrovcit sepse nuk merrem me të. Por nëse dikush më ofron fakte për vjedhje, keqpërdorime, unë jam i gatshëm t’ia them në fytyrë. Ashtu siç dihet, ndërtimi dhe pasuria e tij menjëherë pas lufte, kur ne si Drenicë nuk kishim ku me “fut kokën nër pikë”, siç thotë populli, ndërsa ai ndërtonte shtëpi luksoze dhe objekte të tjera me mijëra metra katror në fshatin e lindjes, Gllanasell. Unë besoj se njerëzit ndryshojnë për të mirë dhe shpresoj për të gjithë një gjë të tillë. Mirëpo duhet të them se duhet të pres punën e tij që do të bëjë pas fushatës, ashtu që të kalojë një kohë për të pasur mundësi për ta vlerësuar. Mos të ngutemi në gjykime se pastaj mund “t’i bijmë pishman”, të pendohemi.

Indeksonline: Ju kemi parë disa herë mysafir në familjet katolike nëpër Kosovë, a është Kosova vendi me tolerancën më të lartë fetare në rajon sipas teje?

Osman Musliu: Bashkëpunimi im me të Krishterët nuk është formal por vëllazëror, jemi njerëz të një gjuhe dhe një vendi, pavarësisht se kemi besime të ndryshme. Bashkëjetesa është një aspekt që duhet promovuar jo vetëm në mes besimeve, por në çdo aspekt të jetës. Respekti ndaj tjetrit është vlerë që duhet mbajtur me fanatizëm. Muslimanët gjatë gjithë historisë shquhen me bashkëjetesë të mirë me besimet e tjera. Lexoni për qytetin e Muhammedit a.s dhe kushtet që ai ua kishte ofruar hebrenjëve të Medines. Lexoni për Andaluzinë dhe muslimanët e asaj periudhe se si janë shembull edhe për ne sot. Mos të harrojmë se hebrenjtë dhe të krishterët kanë jetuar më së miri apo në rehati në të gjitha tokat Islame gjatë gjithë historisë. Kështu që ne muslimanët që nga Profeti ynë e gjer më sot nuk kemi pasur asnjëherë problem me bashkëjetesën me besimet tjera. Besoj që kjo është vlerë që e kemi trashëguar edhe ne shqiptarët edhe duhet ta ruajmë sa më shumë.

Indeksonline: Atëherë pse ju ka penguar ndërtimi i Kishës në Llapushnik?

Osman Musliu: Kam deklaruar në kohën e duhur se kisha e Llapushnikut është kishë politike dhe nuk është kishë për qëllime fetare. Besa edhe disa të tjera janë ndërtuar vetëm për sherr në disa vende të Kosovës, sikur edhe disa xhamia politike, nuk e ndryshoj këtë bindje. Të ndërtosh një “kishë” në mesin e muslimanëve është absurde. Paramendojeni, ngase kinse janë konvertuar 3-4 familje në katolikë, për këtë gjë është dhënë një vend prej 5 hektarëve! 5 hektarë për 10-15 persona, një herë për varreza, tani polli kisha! Është ndërtuar një objekt gjigant për vetëm 10-15 persona. Dhe në vend që të ndërtohet te lagjja e “të konvertuarve”, ky objekt ndërtohet në një majë bjeshke që të shihet nga e gjithë Drenica e ma larg. Madje, si simbol në mes të Rrugës së Kombit! Të gjitha këto dhe veprime tjera që unë i kam bërë publike, janë një turp edhe për organët shtetërore përkatëse, por edhe për udhëheqësit e Kishës Katolike. Por, nuk e di, ne, si po shihet, e kemi vendosur si “politikë shtetërore” të bëhemi më “Papë se Papa” dhe këto ndoshta janë zbatimi i kësaj politike..! Zoti nuk ka nevojë për shtëpi politike dhe shtëpi biznesi. Ai, Zoti, dinë gjithçka, shef gjithçka dhe nuk ka mundësi ta mashtrojë askush. Kushdo që provon nga hoxhallarët, priftërinjtë dhe pastorët këtë gjë, e mashtron vetëm veten./Indeksonline/