Imet Rrahmani: Do të jem krah për krah me Lutfi Hazirin për kryetar të LDK-së

Imet Rrahmani, ish ministër i Shëndetësisë që vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tashmë ka ndarë mendjen se kë do ta përkrah në zgjedhjet e 14 marsit ku LDK-ja do të bëhet me kryetar e udhëheqësi të re, shkruan IndeksOnline.
Ai në një intervistë për IndeksOnline ka treguar se besimi i tij në rugovizëm dhe në njerëzit e partisë e ka mbajtur atë deri më tani në LDK.
Ndërsa nuk ka hezituar për të treguar preferencën e tij në mes të katër kandidatëve që deri më tani kanë shpallur kandidaturat e tyre për të parin e LDK-së.
“Unë jam në LDK me dëshirë dhe vullnetin tim që nga themelimi. Besimi në rugovizëm dhe në njerëzit e partisë më ka mbajtur dhe më mban ende në këtë parti. Prandaj, duke qen i angazhuar në të gjitha proceset në Degën e LDK-së në Gjilan dhe krah për krah me z. Lutfi Haziri, është më se normale dhe e pritshme që unë favorizoj dhe mbështes atë për Kryetar të LDK-së”, tha Rrahmani për IndeksOnline.
Ish ministri i Shëndetësisë, ka thënë se nuk pret ndonjë parregullsi gjatë së dielës duke shprehur kështu bindjen e tij se gjithçka do të shkoj në rregull me Kuvendin zgjedhor.
Mirëpo gjatë këtij Kuvendi mund të ketë një dallim me ata të kaluarit.
“Unë mendoj se s’ka asnjë arsye që Kuvendi të mos shkoj si duhet. Ndoshta do të zgjat pak më shumë se Kuvendet tjera, por çdo gjë do të jetë brenda normales edhe të dielën edhe pas të dielës”, nënvizoj ai.
Rrahmani do të votojë në Kuvend zgjedhor dhe tashmë në mesin e 335 delegatëve të LDK-së, të cilët do të zgjedhin të dielën prijësin e tyre, Haziri ka të sigurt votën e tij.
Deri më tani zyrtarisht janë shpallur katër kandidatura.
Lutfi Haziri, Anton Quni, Lumir Abdixhiku e Besian Mustafa i janë futur garës për të marr timonin e partisë, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit pati rezultatin më të dobët në histori të saj.