IMO kundërshton tarifën 20% për Ngushticën e Hormuzit: Nuk ka bazë ligjore
Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO) ka kundërshtuar idenë e vendosjes së një tarife prej 20% për mallrat që transportohen përmes Ngushticës së Hormuzit, duke argumentuar se një masë e tillë nuk mbështetet nga kuadri aktual i së drejtës ndërkombëtare detare.
Qëndrimi i IMO-së vjen pas deklarimeve të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, lidhur me mundësinë e vendosjes së një barre financiare për mallrat që kalojnë përmes një prej korridoreve më të rëndësishme detare në botëk, shkruan A2CNN.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare Detare, rregullat ndërkombëtare nuk parashikojnë vendosjen e tarifave të detyrueshme të tranzitit në ngushticat që përdoren për lundrim ndërkombëtar. IMO thekson se kalimi i lirë dhe i papenguar i anijeve është një nga parimet themelore të sistemit ndërkombëtar të transportit detar.
Ngushtica e Hormuzit ka një rëndësi strategjike për ekonominë globale, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e eksporteve botërore të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.
Qëndrimi i IMO-së pritet të shtojë diskutimet mbi statusin ligjor të këtij korridori detar dhe ndikimin që çdo ndryshim në rregullat e kalimit mund të ketë në tregjet energjetike dhe ekonominë globale.

