Importet e Kosovës shënojnë rritje në korrik, prin mallrat nga Kina e Turqia

Gjatë muajit korrik, importet e Kosovës kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke reflektuar kërkesën e lartë në tregun vendor dhe varësinë nga mallrat e huaja, shkruan Indeksonline.
Sipas të dhënave të ASK-së, importet nga vendet e Bashkimit Evropian arritën në 283,1 milionë euro, që përbëjnë 42,9% të importeve të përgjithshme, duke shënuar një rritje prej 4,5%.
Vendet me pjesëmarrje më të lartë në këtë kategori ishin Gjermania (14,1%), Italia (4,8%) dhe Polonia (3,8%). Rritje të lartë patën edhe importet nga vendet e CEFTA-s, të cilat arritën në 79,6 milionë euro, ose 12,1% të importeve të përgjithshme, duke u rritur për 19,4% krahasuar me periudhën e njëjtë. Partnerët kryesorë ishin Maqedonia e Veriut (4,2%), Shqipëria (3,7%) dhe Serbia (3,1%).

Ndërkohë, importet nga vendet e tjera të botës dominuan tregtinë e jashtme të Kosovës, duke arritur në 297,5 milionë euro, ose 45,1% të importeve totale.
Këtu kryesuan Kina me 14,5% dhe Turqia me 12,7% të importeve. Këto të dhëna tregojnë për rritje të vazhdueshme të importeve, sidomos nga tregjet aziatike, duke dëshmuar varësinë e ekonomisë kosovare nga produktet e huaja.