11:36 / E Martë, 13 Mars 2018

Importi rrezikon prodhuesit vendorë

Sasia më e madhe e mallrave të prodhuara në Kosovë vazhdon të mbetet brenda territorit të vendit duke bërë që shteti i Kosovës të jetë i varur nga importi i pothuajse të te gjitha produkteve të nevojshme nga vendet e rajonit, por edhe të Evropës.

Kontributi i eksporteve në volumin tregtar në vit mbetet shumë i ulët, me rreth 300 milionë euro, kurse importi rreth 3 miliardë euro.

Pavarësisht kushteve të rënda më të cilën përballet industria e prodhimit dhe tregu nuk mbulohet qind për qind me produkte “Made in Kosova”, megjithatë ka prodhime dhe shporta e konsumatorit mund të mbushet me produkte vendore.

Por, disa qytetarë ende hezitojnë të furnizohen më këto produkte.

Arlinda Berisha qytetare nga Prishtina, konsideron se prodhimet e industrisë se qumështit janë cilësore, por dyshon në cilësinë dhe kualitetin e produkteve tjera.

“Jo të gjitha produktet janë cilësore, por ka të mira. Unë produktet e qumështit në shumicën e rasteve i blej nga prodhuesit vendorë”, thotë Arlinda.

Kohëve të fundit më produkte kosovare ka filluar ta mbush shportën një qytetar tjetër, Blerim Ademi. Ai thotë se është i kënaqur më cilësinë e prodhimeve, madje shprehet se paragjykimet e shoqërisë kanë ndikuar që prodhimet vendore të mbesin në vitrinat e dyqaneve.

“Kam filluar të blej produkte ‘Made in Kosova’ është përmirësuar cilësia e tyre. Kur fillon t’i konsumosh, atëherë do nuk ndërrohen me produktet tjera”, thotë Ademi.

Ndryshe, përfaqësues të komunitetit të biznesit në Kosovë, thonë se duhet gjetur forma që paratë e buxhetit dhe qytetarëve të mbeten në Kosovë.

Safet Gërxhaliu kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse vendi shndërrohet në shoqëri të varur nga importi, në Kosovë do mbillet varfëria dhe do vështirësohet perspektiva për zhvillim ekonomik.

“Po, mbi të gjitha, paraja e diasporës, që fitohet me mund të madh nuk e meriton paraprakisht të jetë e gjykuar për t’u eksportuar, për të blerë mallra në vendet e rajonit”.

“Në këtë drejtim janë bërë hapa, mirëpo nuk mjafton që të jemi të kënaqur sepse krahas subvencionimit, ekonomia kosovare ka nevojë për mbrojtje nga një të themi agresivitet i vendeve të rajonit, të cilët në forma të shkruara dhe të pashkruara përgatitin pako të veçanta fiskale, vetëm për ta shkatërruar ose për ta shkatërruar prodhimin e Kosovës”, thotë Gërxhaliu .

Gërxhaliu vlerëson se kohëve të fundit Ministria e Financave ka reflektuar në këtë drejtim. Por, megjithatë institucionet kompetente, thotë ai, duhet të përshpejtojnë proceset e integrimit ekonomik në këtë drejtim dhe ndërkombëtarizimi i ndërmarrësisë kosovare, duhet të mbetet prioritet.

“Paramendojeni, Sllovenia i ka 2 milionë banorë dhe në shtetin e Austrisë eksporton 2 miliardë euro mallra. Bosnje e Hercegovina ka 3,5 milionë banorë dhe në Austri eksporton 600 milionë euro mallra. Kosova i ka 2 milionë banorë dhe eksporton vetëm 22 milionë euro mallra”, shprehet Gërxhaliu.

Importuesi më i madh në Kosovë mbetet Serbia, ku sipas të dhënave zyrtare janë mesatarisht rreth 400 milionë euro në vit produkte të ndryshme që importohen nga ky shtet.