75 Mall Live Search
22:56 / E Enjte, 30 Maj 2024 / FR

Imri Ahmeti e konfirmon: Jam në listë për deputet për t’i ndihmuar partisë

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti e ka konfirmuar se do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e ardhshme.

Ditë më parë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, drejtues të kësaj partie kanë bërë të ditur se disa kryetarë komunash do të jenë kandidatë për deputetë.

“Është diskutuar, ka një vullnet, shumica e kryesisë mendojnë që edhe kryetarët e komunave duhet të jenë në listë për deputet, për shkak të peshës dhe rëndësisë që kanë zgjedhjet dhe natyrisht për shkak të mbështetjes së madhe që kanë kryetarët e komunave që vijnë nga LDK”, tha kryetari i Lipjanit në Rubikon me Adriatik Kelmendin në Klan Kosova.

Sipas tij, “vendimin definitiv të listës do ta marrë Këshilli i Përgjithshëm”.

“Unë besoj që do të jemi pjesë shumica e kryetarëve të komunave që vijmë nga LDK. Do ta përfillim qëndrimin e LDK-së. Unë nuk synoj që të jem deputet, synoj që t’i ndihmoj LDK-së. Nuk do e lë mandatin e kryetarit, por ua bëj me dije që jam në listë për t’i ndihmuar partisë”, tha Sekretar i përgjithshëm i LDK-së.

Njëjtë si Imri Ahmeti, në garë për deputetë do të jenë edhe kryerari i Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe ai i Fushë Kosovës, Burim Berisha.

Siç duket LDK këtë kandidim të kryetarëve të komunave, po e përdorë për maksimalizimin e votave, kur dihet se këta kryetarë komunash kanë qenë fitues të padiskutueshëm të komunave përkatëse.