14:22 / E Premte, 03 Maj 2019 / indeksADMonline

Inaugurohet Qendra e Thirrjeve në komunën e Mitrovicës

Sot në Komunën e Mitrovicës është hapur Qendra e Thirrjeve, ku të gjithë qytetarët do të mund të adresojnë problemet, kritikat, kërkesat dhe sugjerimet e tyre.

Me këtë rast, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, është përgjigjur në telefonatën e parë të realizuar nga qytetari, të cilit i është ofruar shërbimi  i kërkuar.

Kryetari Bahtiri e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë hap të komunës, gjë që ndikon në rritjen e transparencës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.  

Qytetarët do të kenë mundësi të thërrasin pa pagesë në numrin 080019400, dhe do të jetë e hapur çdo ditë nga e hëna deri të dielën, prej orës 08:00 deri në 22:00.

Zyrtarët përgjegjës të Qendrës së Thirrjes do tu ndihmojnë qytetarëve të marrin përgjigje për shumicën e pyetjeve që lidhen me shërbimet komunale, nëse nuk mund t’i përgjigjen pyetjes suaj, ju ndihmojnë që të kontaktoni me zyrtarin kompetent në komunë.